Televizioni “Klan Kosova” ka shprehur shqetësimin lidhur me njoftimin e orëve të pasdites të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) se ka iniciuar kallëzim penal në Departamentin e Krimeve të Rënda në kuadër të Policisë së Republikës së Kosovës, ndaj KLAN KOSOVA SHPK, si dhe se është marrë vendim për atë që e kanë quajtur “pezullim të certifikatës së biznesit”.
Klan Kosova thotë se është njoftuar nga ministrja Rozeta Hajdari për këtë vendim rreth orës 18:00, kurse deri në këto çaste nuk ka marrë asnjë vendim zyrtar nga ministria.
“Klan Kosova asnjëherë deri më sot nuk ka pasur asnjë kontakt ose veprim nga ndonjë institucion i Republikës së Kosovës lidhur me çështjet për të cilat ministria ka ngritur dyshime”.
“Klan Kosova asnjëherë nuk ka pasur rastin as të japë shpjegime çfarëdo në institucionet e shtetit lidhur me pretendimet e ministrisë, të cilat sipas tyre kanë rrjedhur nga një shkrim spekulativ nga një portal online, vetëm një ditë më parë”, thuhet në reagimin zyrtar të KK.
“Derisa nuk marrim njoftime të tjera, ne besojmë se ky veprim është krejt i padrejtë, arbitrar dhe me primesa autokratike, i pabazuar në ligj, i cili në secilën rrethanë i bie tentim i mbylljes së një mediumi, tentim i shkeljes së lirisë së medias dhe lirisë së shprehjes”.
“Ne kemi ndërmarrë menjëherë masat që të konsultohemi me juristë, ndërkohë duke njoftuar të gjitha institucionet e shtetit, ambasadat e akredituara në Kosovë, organizatat ndërkombëtare të mediave dhe lirisë së shprehjes”, përfundon reagimi.