Departamenti për Krime të Rënda në kuadër të Prokurorisë Themelore të Ferizajt ka dhënë detaje për rastin që tronditi vendin gjatë ditës së djeshme ku një vajzë 18 vjeçare është dërguar pa shenja jete në Qendren Emergjente në Ferizaj nga dy persona që kishin ikur nga vendi i ngjarjes.
Sipas njoftimit nga prokuroria 18 vjeçarja ishte keqtrajtuar fizikisht nga i dyshuari D.K, i cili aktualisht gjendet në arrati.
Viktima ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra.
Me këtë rast policia ka arritur ta arrestojë njërin nga të dyshuarit me inicialet A.S.
” I dyshuari tjetër D.K., që gjendet ende në arrati, dyshohet se për motive të ulëta, ka keqtrajtuar fizikisht tani të ndjerën M.O., e cila si pasojë e lëndimeve të marra ka ndërruar jetë dhe vdekjen e saj e kanë konstatuar mjekët në Qendrën Emergjente në Ferizaj, ku me ç’rast i njëjti dyshohet se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë””.
“Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti për Krime të Rënda, njofton opinionin publik se lidhur me rastin e vdekjes së 18 vjeçares në Ferizaj, me vendim të prokurorit, është ndaluar një (1) person i dyshuar, me inicialet A.S., në kohëzgjatje prej 48 orësh, për shkak të dyshimit se i njëjti në bashkëkryerje ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë””.
Me urdhër të prokurorit, trupi i pa jetë i viktimës është dërguar për obduksion, në Institutin e Mjekësisë Ligjore.
Prokuroria Themelore në Ferizaj në bashkëpunim me Policinë e Kosovës kanë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore dhe janë duke punuar rreth zbardhjes së të gjitha rrethanave të ngjarjes.