Ministrja e Tregtisë, Industrisë dhe Ndërmarrësisë, Rozeta Hajdari ka përfunduar deklaratën në Prokurorinë Speciale.
Hajdari ka thënë para gazetarëve se nuk është intervistuar sot por ka ardhë që të japë sqarime pranë prokurorisë për Legjislacionin që është në fuqi për rezervat shtetërore.
“Kjo kërkon qartësi në legjislacionin në fuqi që është Ligji për Rezervën Shtetërore, Ligji për Mbrojtjen e Informacionit të Klasifikuar dhe ligjet tjera, prandaj derisa t’i marrim qartësitë përkatëse, ne do të bëjmë kërkesën dhe të vijmë t’ju japim përgjigjet që kanë nevojë t’i marrin”, u shpreh ajo.
Ndryshe, më herët, me urdhër të Prokurorisë Speciale, Policia e Kosovës kishte arrestuar sot tre persona, nën dyshimet se kanë bërë keqpërdorime sa u përket blerjeve të rezervave shtetërore.
Prokuroria Speciale e Kosovës tha se të arrestuarit dyshohen për veprat penale “keqpërdorim i detyrës zyrtare” dhe “dhënie e ndihmës në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare”.
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) kishte konfirmuar se dy prej të arrestuarve janë zyrtarë të saj.
Përmes një komunikate për media, Prokuroria Speciale – e cila e ka dhënë urdhrin për arrestime, kishte njoftuar se të arrestuarit janë Hafiz Gara, Irfan Lipovica dhe Ridvan Muharremi.