Prokuroria Themelore në Prishtinë njofton se një person është ndaluar për grabitje dhe mbajtje të armëve pa autorizim, pas një incidenti në oborrin e qendrës tregtare “Albi Mall” në lagjen Veternik.
Hetuesit policor, në bashkëpunim me Prokurorinë, po vazhdojnë ndjekjen e të dyshuarve të tjerë që janë në arrati, shkruan Ekonomia Online.
Aktualisht, nuk mund të ofrohen detaje të tjera për rastin, por Prokuroria është e angazhuar për zbardhjen e plotë të çështjes.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë njofton opinionin publik, se Prokurori kujdestar është informuar nga Njësiti Policor se në lagjen Veternik të Prishtinës ka ndodhur rasti i ‘’Grabitjes’’ në oborrin e një qendre tregtare ‘’Albi Mall’’. Ndërkohë hetuesit policor në bashkëpunim me Prokurorin e shtetit kanë ndaluar një (1) person për vepër penale ‘’Grabitja’’ nga neni 317 dhe ‘’Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’’ nga neni 366 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, si dhe Prokuroria Themelore vazhdon ndjekjen e personave të cilët ndodhen në arrati”, thuhet në njoftim.