Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në konferencën para gazetarëve të mbajtur sot është përgjigjur edhe në pyetjen rreth deklaratës së ministrit të tij, Nenad Rashiq për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
Kurti ka thënë se është për të drejtat e të gjithë qytetarëve pa dallim, për barazi, të drejta e liri, megjithatë ka thënë se ata që duan më shumë të drejta duhet të tregojnë se pse propozimi i Ahtisarit iu duket i mangët.
“Unë jam për të drejtat e të gjithë qytetarëve pa dallim Pra ne jemi për barazi, për të drejta për liri. Ata që kërkojnë më shumë të drejta, duhet të tregojnë pse plani i Ahtisarit i cili fitoi Nobelin për Paqe nuk mjafton, pse na qenka i mangët propozimi i fituesit të Nobelit për Paqe”, ka thënë Kurti, raporton Expres.
Ai tutje ka thënë se të enjten është takuar me Rashiqin dhe se kanë biseduar për diçka tjetër. Megjithatë ka theksuar se me Rashiqin pajtohet shumë dhe e konsideron politikan shembull, por kjo s’do të thotë që me të pajtohet për gjithçka dhe gjatë gjithë kohës.
Kurti thotë se as brenda një subjekti politik s’ka pajtueshmëri të tillë.
“Unë e kam takuar dje ministrin Rashiq. Kemi biseduar për një çështje tjetër. Dua të them që pajtohem me të shumë dhe e konsideroj politikan shembull.
Por kjo s’do të thotë që kryeministri me ministrin Rashiq pajtohet për gjithçka, tërë kohen e plotësisht. Kjo s’ndodh as brenda të njëjtit subjekt politik lërë më me një ministër”, ka shtuar tutje.
Shefi i Qeverisë ka thënë se angazhohet për të drejtat e serbëve të Kosovës gjithmonë në funksion të kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë dhe të drejtave të njeriut.
Ndërsa ka shpjeguar takimin me Rashiqin dhe diskutimin për lejimin e hyrjes për Porfirijen, i cili ka anuluar ardhjen edhe pse i ishte dhënë leja.
“Rashiq erdhi dje dhe kërkoi prej meje që ta lejojmë të vijë patriarkun Porfirije, i cili kishte paralajmëruar ardhjen për dje pasdite. Dhe ndonëse s’kishte kërkuar leje, meqë kishte thënë se s’po vjen me truproje, se ata po i le në Meradare, pra truprojet i duhet për Serbi jo për Kosovë, unë iu përgjigja pozitivisht kërkesës së tillë ministrit tim Rashiq. Dhe besoj e patë çfarë ndodhi, e anuluan ardhjen.
Kur s’kishin leje dëshironin të hynin. Dje, që morën leje nuk erdhën. Sidoqoftë me lejoni ta shfrytëzojë këtë mundësi t’ua uroj Krishtlindjen Ortodokse të gjitëh qytetarëve ortodoksë”, ka përfunduar kryeministri Kurti.