Për shkak të sezonit të dobët të Werder Bremenit dhe krizës së sjellë nga koronavirusi, vlera e skuadrës së klubit gjerman ka rënë dukshëm. Në mesin e lojtarëve të ndikuar nga kjo situatë është edhe kosovari Milot Rashica.
Vlera e futbollistëve të Werder Bremenit ka pësuar goditje të ngjashme me lumturinë e tifozëve të klubit gjerman përgjatë këtij sezoni, pasi që pjesëmarrja në barazh për mbijetesë e ka ulur dukshëm vlerën e lojtarëve të klubit gjerman.
Werder Bremeni veçse i ka humbur rreth 30 milionë euro shkaku i mungesës së tifozëve nëpër ndeshje dhe humbje nga sponsorët. Tani, drejtorët e klubit frikësohen se do ta kenë të pamundur t’i kompensojnë këto para gjatë afatit kalimtar të verës.
Vlera e skuadrës ka rënë nga 166 milionë në 109 milionë euro, pasi që të gjithë lojtarëve u është ulur vlera në faqen Transfermarkt. Fat të njëjtë me bashkëlojtarët e tij ka përjetuar edhe Rashica.
Kosovari e nisi sezonin me vlerë prej 20 milionë eurove në treg, që megjithatë u ngrit në 35 milionë euro pas paraqitjeve të tij të mira – kur i shënoi shtatë gola në pjesën e parë të sezonit. Megjithatë, tani vlera e tij ka rënë sërish në 22 milionë euro.
Por, Rashica mbetet edhe më tutje futbollisti i vetëm që mund t’ua kompensojë klubit paratë e humbura këtë sezon shkaku i krizës së sjellë nga koronavirusi.
Kjo pasi që për të vazhdon të jetë i interesuar Leipzigu, në mesin e disa klubeve të tjera. Deri më tani, mediumet gjermane kanë raportuar se Leipzigu ka bërë ofertën e parë prej 15 milionë euro, mirëpo ajo ofertë është refuzuar.