Raportimi për pandeminë në vitin 2020: Çka mësuam e si raportuam?

Kur raportuam te Telegrafi për rastin e parë me COVID-19, dhe për lajmet e para të koronavirusit nga Vuhani i Kinës, e kisha një diskutim me një mik që punon në fushën e mediave. Ai më tha: “Shumë po i jepni zjarr e shumë hapësirë lajmeve për këtë ‘sëmundje misterioze’; për klikime e për lexueshmëri”.

Natyrisht, nuk u pajtova dhe kisha të drejtë.

Lajmi i parë i publikuar në Telegrafi për COVID-19

Këtë diskutim në fillim e kishim edhe në stafin e Telegrafit: si të raportojmë për këtë temë të ndieshme?

Por, pak kohë më vonë – pas raportimeve për ‘sëmundjen misterioze’ nga Kina – erdhën lajmet e para edhe për të sëmurët me koronavirus nga Anglia, nga Amerika dhe nga vendet e Bashkimit Evropian.

Bota ishte në alarm, natyrisht edhe rajoni e Kosova.

Rastet e para me COVID-19, në Kosovë, u paraqitën më 13 mars 2020.

Rastet e para të konfirmuara me COVID-19 në Kosovë

Natyrisht, në fillim të gjithë kishim pak njohuri për të raportuar. Burimet për informata ishin kryesisht nga ekspertët e OBSh-së dhe nga mediat ndërkombëtare, si BBC, CNN, Guardian… Por, edhe nga profesionistët e mjekët në Kosovë, ndër ta Naser Ramadani, Lul Raka, Lindita Ajazaj–Berisha, Valbon Krasniqi, Izet Sadiku, zyra e OBSh-së në Kosovë e të tjerë profesionistë nga IKShPK. Gjithashtu, Telegrafi i kishte dhënë rëndësi rekomandimeve profesionale se si të mbrohemi nga pandemia: maskë, distancë dhe izolim.

U izoluam edhe ne, stafi i Telegrafit, qysh në muajin mars, duke menduar se kjo do të marrë fund për dy javë. Por, askush nuk kishte menduar e as pritur se vitin 2020 do ta mbyllim me masat e njëjta: maskë, distancë dhe izolim…

Megjithatë, ishte një shpresë se vaksina kundër COVID-it më në fund vjen. Fatkeqësisht, ajo nuk erdhi ende tek ne…

Kishte “mjegull” gjatë raportimit e kjo “mjegull” ishte shpërndarë në diskursin publik gjithandej – te kolegët, familja e shoqëria. Askush me informata të duhura e thelbësore. Gjërat ndërlikoheshin me rastet e shumta të të infektuarve në Kosovë, me vdekjet e para, me problemet ekonomike në vend, situatën e rënduar me tema politike, rrëzimin e dy qeverive, aktakuzat e para nga Dhomat e Specializuara të Gjykatës Speciale etj.

Kosova ky vend i lajmeve të shumta…

Raportimi profesional në kohë reale për një temë kaq të ndieshme ishte sfidë në vete, por duke përdorur burime profesionale, shkencore e zyrtare, kjo punë kryhej më lehtë.

Për fat të keq, ne edhe sot raportojmë se “kanë vdekur edhe … persona të prekur me COVID-19 në Kosovë”. E, këto lajme si duket do të na përcjellin edhe në vitin 2021, derisa vaksina të jetë edhe në spitalet tona.

Nga ky virus deri tash në Kosovë kanë vdekur 1 325 qytetarë, ndërsa numri i rasteve pozitive është 50 910 nga 181 148 persona të dyshimtë me virusin SARS-CoV-2. Numri i përgjithshëm i të shëruarve, deri më sot, është 40 423 raste, kurse numri i rasteve aktive është 9 162.

Për fund po e mbylli këtë shkrim me mesazhin e parodistëve nga Vlora: “Në të s’ëmës 2020”!

https://youtube.com/watch?v=C0_NKkcLWG4%3Ffeature%3Doembed