Na draftin e Raportit të Progresit si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë rikujtohet se zbatimi i marrëveshjes tashmë është bërë edhe formalisht pjesë përbërëse e procesit të integrimit në BE. Kosova kritikohet për hapat e pakoordinuar që nxisin tensione në veri dhe kërkohet të nisë procedurën e themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe sipas propozimit evropian. Serbia kritikohet për mosndërmarrjen e hapave për të nxjerrë para drejtësisë sulmuesit nga Banjska. Serbisë i kërkohet që të nisë me njohjen e dokumenteve dhe simboleve të Kosovës.
Në shumicën e fushave që mbulon Raporti vjetor i Progresit për Kosovën konstatohet se Kosova është akoma në një fazë të hershme të përgatitjes dhe se më shumë përpjekje duhet të bëhen në procesin e reformave, sidomos në administratën publike, për të arritur progres. Ky Raport i Progresit për Kosovën, sikur edhe për nëntë vende të tjera nga procesi i zgjerimit, do të miratohet të mërkurën më 30 tetor nga Kolegji i komisionerëve në Bruksel, në kuadër të paketës vjetore të zgjerimit. KOHA është në dijeni të përmbajtjes së Raportit për Kosovën dhe në të kësaj radhe fokus i rëndësishëm i është dhënë procesit të normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë dhe zbatimit të obligimeve nga marrëveshjet e deritashme në dialog, si kusht për avancim edhe në procesin e integrimeve evropiane ashtu edhe për asistencën financiare.
Në draftin e Raportit të Progresit si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë rikujtohet se zbatimi i marrëveshjes tashmë është bërë edhe formalisht pjesë përbërëse e procesit të integrimit në BE. Kosova kritikohet për hapat e pakoordinuar që nxisin tensione në veri dhe kërkohet të nisë procedurën e themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe sipas propozimit evropian. Serbia kritikohet për mosndërmarrjen e hapave për të nxjerrë para drejtësisë sulmuesit nga Banjska. Serbisë i kërkohet që të nisë me njohjen e dokumenteve dhe simboleve të Kosovës.
“Në përgjithësi Kosova dhe Serbia kanë marrë pjesë në dialog, por ato duhet të demonstrojnë përkushtim më serioz dhe konstruktiv për të avancuar procesin e normalizimit. Duke ecur përpara, Kosova dhe Serbia duhet po ashtu të bëjnë përpjekje domethënëse për të evituar veprimet që rrezikojnë stabilitetin dhe retorikën, e cila nuk është në përputhje me dialogun dhe pajtimin”, thuhet në draftin e Raportit të Progresit për këtë vit.
“Procesi i normalizimit vazhdon të jetë i ndikuar nga hapat e pamjaftueshëm të Serbisë për të siguruar llogaridhënien për sulmet e dhunshme nga serbët e armatosur të Kosovës ndaj policisë së Kosovës më 24 shtatorë 2023 në Banjskë, që paraqet përshkallëzimin më të rëndë në vitet e fundit“, thuhet në raport.
Në raportin për Serbinë thuhet se BE-ja pret nga Serbia që “të bashkëpunojë plotësisht dhe të ndërmarrë masat e domosdoshme për të kapur dhe për të nxjerrë shpejt para drejtësisë kryerësit e sulmeve të vitit 2023 në veri të Kosovës“.
Raporti i Progresit, si ai për Kosovën ashtu edhe për Serbinë, përsërit se Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit të raporteve “mbetet ligjërisht obliguese dhe valide“ dhe se asnjë formalitet rreth saj nuk duhet të bëhet pengesë për progres në implementim. Përsëritet se palët kanë obligim që të zbatojnë të gjitha marrëveshjet nga e kaluara dhe se dështimi në këtë drejtim, në rast se nuk janë konstruktivë, do të ketë pasoja për rrugëtimin e tyre drejt BE-së. Në raport thuhet se “konstruktiviteti do të vlerësohet në bazë të përformancës individuale të palëve“.
Raporti edhe këtë vit në mënyrë të veçantë flet për tensionet në veri të Kosovës që vlerësohen si “të larta”.
“Tensionet në veri të Kosovës mbeten të larta. Kosova në mënyrë të përsëritur ka ndërmarrë aktivitete që janë në kundërshtim me obligimet e saja nga dialogu, përfshirë edhe përmes operacioneve policore ndaj zyrave të mbështetura nga Serbia në veri”, thuhet në raport, ku përmenden si shembull Rregullorja e BQK-së për përdorimin vetëm të euros si valutë në qarkullim dhe mbyllja e zyrave të bankave dhe Postës së Serbisë në Kosovë.
Në raport shprehet edhe keqardhja pse nuk kanë pasur sukses përpjekjet në dialog që të arrihet një zgjidhje e pranueshme për të dyja palët për të tejkaluar problemet për njerëzit në veri të Kosovës.
Edhe në këtë raport Komisioni Evropian shprehet se tërheqja e serbëve nga institucionet e Kosovës në veri në vitin 2022 dhe bojkotimi i zgjedhjeve lokale ka qenë një “kthim i rëndë prapa” në zbatimin e obligimeve nga marrëveshjet e dialogut.
Kërkohet që Kosova dhe Serbia të respektojnë marrëveshjen për pjesëmarrjen në nismat rajonale dhe që funksionimi i tyre të mos pengohet për shkak të mospajtimeve bilaterale.
Po ashtu nga Serbia kërkohet që të parandalojë kalimet ilegale dhe të drejtojë kalimet me Kosovën vetëm ato zyrtare.
Raporti nënvizon se marrëveshja për kadastrat dhe njohjen e diplomave nuk po zbatohet për shkak të mosrespektimit të saj nga ana e Serbisë.
BE-ja ndërkaq mirëpret zbatimin e marrëveshjes për targat e veturave dhe heqjen graduale të atyre të lëshuara nga Serbia për qytetet në Kosovë, si dhe njohjen e ndërsjellë të targave të veturave.
Kërkohet nga të dyja palët që të respektojnë në mënyrë më konsistente marrëveshjen për vizitat zyrtare. Po ashtu edhe të respektojnë marrëveshjet për telekomin dhe për energjinë.
Edhe me këtë Raport përsëritet thirrja që Kosova sa më shpejt të nisë procedurën për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, në bazë të propozimit evropian.
Përmendet edhe obligimi i Kosovës për të nisur procedurën për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë.
“Nuk ka pasur progres të mëtejmë në implementimin e marrëveshjes, e cila vendos parimet për themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së komunave me shumicë serbe. Përderisa BE-ja mirëpret prezantimin e draftit të parë të statutit të A/B së komunave me shumicë serbe në takimin e nivelit të lartë në dialog nga ana e Ekipit menaxhues, ai nuk ishte në përputhje me marrëveshjet relevante nga dialogu. Prandaj propozimi evropian për themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së komunave me shumicë serbe në Kosovë i prezantuar para palëve më 21 tetor të vitit 2023 është propozimi i duhur. Ky propozim është i bazuar në standardet dhe praktikat më të mira evropiane dhe është plotësisht në përputhje me kornizën kushtetuese të Kosovës. Nga Kosova dhe Serbia kërkohet që tash në mënyrë konstruktive të angazhohen në themelimin e saj”, thuhet në draftin e Raportit të Progresit.
Përderisa nga Kosova kërkohet që të nisë procesin e themelimit të Asociacionit, nga Serbia kërkohet që “të përmbushë obligimet e saja nga marrëveshja në mënyrë paralele, duke nisur njohjen e dokumenteve, simboleve dhe institucioneve të Kosovës”.
Nga Kosova dhe Serbia kërkohet që në mënyrë konstruktive të angazhohen për hapjen e urës mbi lumin Ibër në Mitrovicë për qarkullim edhe për automjete, por përsëritet qëndrimi i BE-së se kjo duhet të bëhet në bashkëpunim dhe koordinim edhe me praninë ndërkombëtare në aspektin e sigurisë.
“Nuk ka pasur progres në implementimin e deklaratës për të zhdukurit, që është miratuar në maj të vitit 2023. Palët inkurajohen që të evitojnë politizimin e kësaj çështjeje humanitare dhe të nisin implementimin e menjëhershëm duke u pajtuar, si hap i parë, për termat e referencës për komisionin e përbashkët që duhet të formohet në bazë të deklaratës“, thuhet më tej në këtë dokument voluminoz.
Sa u përket masave të BE-së ndaj Kosovës, në draft të Raportit të Progresit përmendet arsyeja për të cilën ato ishin vendosur dhe se ndërkohë përfaqësuesi i lartë i BE-së, Borrell, ka rekomanduar që ato të hiqen. Por në bazë të përshkrimit që në raport i është bërë situatës në veri, vështirë të pritet që ato të hiqen shpejt.
Sa i përket zbatimit të rekomandimeve nga ana e Kosovës nga Raporti i fundit i Progresit, nga Kosova kërkohet që të bëjë më shumë në fushën e reformës së administratës publike, sidomos në menaxhimin e resurseve njerëzore, klasifikimin dhe sistematizimin e vendeve të punës, organmizimin e brendshëm të institucioneve publike dhe përshpejtimin e procesit të racionalizimit të agjencive të pavarura.
Përshëndetet angazhimi aktiv i Kosovës në agjendën evropiane për Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor.
Në draft të Raportit të Progresit thuhet se korniza ligjore për zgjedhjet në Kosovë konsiderohet të jetë në përputhje me standardet e zgjedhjeve demokratike. Kritika shprehen edhe për Kuvendin e Kosovës.
“Kuvendi përballet me një numër sfidash në ushtrimin e fuqive të tij. Qeveria vazhdon të ketë shumicë solide në Kuvend, por mospajtimet dhe mungesa e bashkëpunimit mes shumicës dhe opozitës kufizojnë aftësitë e Kuvendit për të miratuar ligjet, për të emëruar anëtarët e institucioneve publike dhe për të ushtruar një mbikëqyrje efektive“.
Përmendet edhe fakti se “anëtarët e Listës Sërpska kanë bojkotuar punën e Kuvendit“.
Me këtë dokument BE-ja kërkon që Kuvendi i Kosovës të përmirësojë rritjen e konsensusit, të rrisë transparencën dhe të përmirësojë menaxhimin e brendshëm. Po ashtu të vendosë edhe votimin elektronik dhe sistemin e regjistrimit të pjesëmarrjes në mbledhje.
Raportet e progresit për këtë vit ishte dashur të ishin miratuar më 16 tetor, por janë shtyrë për datën 30, për shkak se kanë pritur të kalojnë zgjedhjet në Moldavi dhe Gjeorgji, vende të cilat bashkë me Ukrainën tash kanë statusin e kandidatit dhe janë përfshirë në procesin e zgjerimit. Në këtë mënyrë paketa e zgjerimit tash ka dhjetë raporte. Pos gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor raportet miratohen edhe për Ukrainën, Moldavinë dhe Gjeorgjinë, si dhe për Turqinë, e cila vazhdon formalisht të jetë pjesë e procesit të zgjerimit.