Raporti i Progresit identifikon probleme në fushën e drejtësisë

Rreth 90 herë është përmendur fjala korrupsion, në Raportin e Progresit me volum prej rreth 120 faqesh të Komisionit Evropian.

Një nga fushat ku ky raport ka gjetur fare pak progres është sistemi i drejtësisë, ku përmenden përpjekjet e pamjaftueshme për t’i ndaluar ndërhyrjet politike në drejtësi.

“Kushtetuta dhe korniza ligjore ofrojnë mbrojtje të qartë për pavarësinë dhe paanësinë e gjyqësorit. Që të garantohet kjo praktikë, me shumë përpjekje nevojiten që të mbrohet sistemi gjyqësor nga presioni dhe ndërhyrjet. Këshillat duhet të reagojnë në mënyrë më efektive dhe aktive në rastet ku pretendohet se ka ndërhyrje politike në hetuesi dhe gjyqësor”, thuhet në raport, raporton KOHA.

Raporti konteston kualitetin e punës se prokurorëve dhe gjyqtarëve, por me theks përmendën prokurorët, derisa edhe vlerësimi i punës së tyre prej këshillave përkatëse, shpesh sipas raportit, bëhet në mënyrë joreale.

“Kualitetit i vlerësimeve të performancës nga të dy këshillat mbetët një çështje, e cila nuk paraqet vlerësim realist, efektiv dhe sistematik bazuar në kritere të qarta. Niveli i profesionalizmit dhe kompetencës specifikisht për prokurorët, mbetet një çështje shqetësuese: disa prej tyre janë trajnuar në mënyrë joadekuate, ndërsa disa nuk janë të gatshëm t’i aplikojnë mësimet e marra dhe të marrin përgjegjësi të plotë për rastet e tyre”, thuhet tutje në raport.

Raporti është marrë edhe me rastet e shënjestruara për procesin e liberalizimit të vizave, të mekanizmit “Track Record”, i krijuar 5 vjet me parë. Deri tani siç thuhet në raport janë 66 raste pjesë e këtij mekanizmi, por vetëm për 13 prej tyre ka aktgjykim final, prej tyre 8 kanë përfunduar me aktgjykim të pjesshëm dënues.

“Mekanizmi ‘Track Record” për liberalizimin e vizave, i krijuar në vitin 2015, për të monitoruar dhe koordinuar rastet e korrupsionit të profilit të lartë dhe krimit të organizuar, deri në korrik 2020 përfshin 66 raste. Deri tani janë 56 aktakuza, nga to 56 aktakuza, 36 prej të cilave lidhen me korrupsion, ndërsa 20 kanë të bëjnë me krimin e organizuar. 12 raste kanë aktgjykim përfundimtar, 8 prej të cilave kanë përfunduar me aktgjykim (pjesërisht) fajësues, me 15 individë të dënuar për përfshirje në vepra që lidhen me korrupsionin”, shpjegohet në raport.

Raporti konteston kualitetin e aktakuzave, që kryesisht lidhen me tenderët.

“Kualiteti i hetimeve dhe aktakuzave është i pamjaftueshëm. Ani pse ka pasur pak progres, Prokuroria Speciale ngec për mungesë të stafit të specializuar me nivelin e kërkuar të aftësimit dhe kompetencës për t’u marrë në mënyrë specifike me çështje që lidhen me financat dhe prokurimin”, thuhet ndër tjerash në raport.

Raporti flet për shkallë të ultë të konfiskimeve të pasurisë së fituar jashtëligjshëm e përgjegjës e bën edhe hetuesinë, e edhe gjyqësorin.

KOHA ka raportuar në vazhdimësi për ngecjet e sistemit të drejtësisë në luftimin e korrupsionit e krimit të organizuar.

Vitin e kaluar, Prokuroria Speciale pati ngritur vetëm një aktakuzë korrupsioni, e 5 vjetët e fundit asnjë zyrtar i lartë nuk është dënuar me burgim efektiv.