Në raportin 24-orësh, Policia e Kosovës ka dhënë detaje për vrasjen e dyfishtë në fshatin Repë të Podujevës, që dyshohet se e kreu fqinji i viktimave.
“Policia tregon se njëri vëlla ka vdekur në vendin e ngjarjes, ndërsa tjetri më vonë.
Është raportuar se ka pasur të shtëna me armë zjarri ku si pasojë viktima mashkull kosovar për shkak të lëndimeve ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, vdekjen e të cilit e ka konstatuar mjeku, kurse vëllai i tij viktima mashkull kosovar është plagosur dhe gjendet në QKUK duke marr tretman mjekësor. Në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitë relevante policore ku janë gjetë dhe konfiskuar katër gëzhoja dhe dy vetura”.
Personi që dyshohet se kreu vrasjen, e që mediat kanë raportuar për një 65 vjeçar që ishte fqinj i tyre, gjendet akoma në arrati.
“I dyshuari mashkull kosovar i cili dyshohet se e kishte kryer veprën gjendet në arrati. Rreth orës 19:18 ka ndërruar jetë edhe viktima e dytë mashkull kosovar që ishte në QKUK. Njësit policore kanë kryer bastisjen në shtëpinë e të dyshuarit ku janë gjetur dhe konfiskuar një armë AK-47, një pistoletë me gas dhe një pushkë gjuetie. Me vendim të prokurorit trupat e pa jetë janë dërguar për obduksion”, thuhet tutje në raport.