Ramadani konfirmon vetizolimin 7 ditor për ata që kthehen nga Shqipëria dhe vendet e tjera të rajonit

Kryetari i IKSHPK-së, Naser Ramadani, ka konfirmuar se masa për vetizolim shtatë ditorë për të gjithë ata që kthehen nga vendet e rajonit në Kosovë është rekomanduar nga Instituti që ai drejton.

Ramadani tha në ‘Pressing’ se masat e reja kundër koronavirusit janë rekomanduar nga IKSHPK drejt MSH-së.

Gazeta Sinjali duke u thirrur në burime të veta raportoi se Qeveria Hoti pritet të marrë vendim që secili qytetar që viziton vendet e rajonit të cilat llogariten me risk të lartë të infeksionit si: Republika e Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të zi dhe Serbisë, obligohet të vetizolohet për 7 ditë në shtëpitë/banesat e tyre.

Masa për vetizolim të qytetarëve që vizitojnë vendet e cekura më lartë pritet të hyjë në fuqi nga data 30 korrik, raporton Gazeta Stop.

Po ashtu do të zgjatet edhe masa e lëvizjes së qytetarëve deri në orën 22:30, rrjedhimisht deri në atë kohë do të punojë edhe sektori i gastronomisë.

Është paraparë edhe rihapja e çerdheve.