Ramadani: 21.8% e të testuarve deri tani dolën pozitivë në COVID-19

Në mbledhjen e së premtes së Komitetit për COVID-19 u tha se pandemia u menaxhua suksesshëm.

Me këtë u pajtua edhe drejtori i Institutit të Shëndetësisë Publike, Naser Ramadani, i cili tha se kanë 437 ditë që po punojnë pa ndërprerë dhe pa pushim, njofton Klan Kosova.

Ai gjithashtu dha edhe statistika mbi gjendjen e pandemisë që nga dita e parë kur në Kosovë u raportuan rastet me infektime.

“Sot është dita e 366 nga diagnostifikimi i parë i rasteve me COVID-19. Nga data 8 shkurt 2020 deri më 11 mars 2021 u testuan gjithsej 345,064 persona të dyshimtë dhe u gjurmuan të gjitha kontaktet e rasteve të konfirmuara që u gjetën në mënyrë aktive nga stafi i IKSHPK-së. 75 380 apo 21.8 për qind e mostrave të testuara kanë dalë pozitive”.

Ramadani ka kërkuar nga institucionet dhe qytetarët që të vazhdojnë luftën kundër përhapjes së koronavirusit.

“Prapë kërkojmë angazhimin e çdo qytetari dhe shoqërisë civile në zbatimin e masave anti-COVID dhe lusim të gjithë personat e infektuar që të qëndrojnë në izolim dhe në mbikëqyrje të mjekëve familjarë”.

“IKSHPK po pret kontingjentin e parë të vaksinave dhe është i gatshëm që t’i shpërndajë në gjithë qendrat e mjekësisë familjare, të jepen sipas strategjisë së aprovuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe lus Komitetin që të angazhohet dhe të merren masa në zbatimin e tyre”.