Rama tregon për politikanin serb që frikësohej se mos fotografohej duke i dhënë dorën Thaçit

Kryeministri shqiptar Edi Rama në Rubikon të Klan Kosovës ka rikujtuar se si një politikan serb, që nuk ia përmend emrin, frikësohej se mos e fotografonte dikush derisa ai ia kishte zgjatur dorën presidentit të Kosovës Hashim Thaçi.

“Më kujtohet një episod me një lider serb në një takim ndërkombëtar. Në derën rrotulluese të hotelit duke pritur për të dalë, dera rrotullohet dhe hy unë me Hashimin [Thaçin] dhe gjendem përballë. Nuk futej dot ai pa kaluar ne dhe Hashimi [Thaçi] i zgjat dorën. Ky ishte lider progresist, me demek ose pa demek. Ai i jep dorën në atë moment. Më kujtohet terrori se mos dikush e kishte fotografuar duke i dhënë dorën ‘kriminelit’ Hashim Thaçi”.

“Këtë nuk e them se e pashë në sytë e tij, por e dëgjova në bisedën e tij. Ishte i terrorizuar. Unë i thashë ‘A je në vete, çfarë është kjo?’. Ai më tha ‘nuk i njeh serbët’. Ai ishte i llahtarisur që po të dilte në fotografi duke i dhënë dorën ‘kriminelit’ do t’i shkatërrohej reputacioni. Ata kanë arritur në një fazë në skenën e tyre politike ku kanë një njeri që është shumë autoritar”.