Kryeministri shqiptar Edi Rama tashmë ka arritur në Kosovë. Ai përmes një postimi në Facebook ka thënë se ka ardhë në Prishtinë pas propozim-aktakuzës së Zyrës së Prokuroritë të Specializuar për Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin.
Këtë propozim-aktakuzë ai e ka quajtur fletë-rrufe, derisa e cilëson si njollë turpi të shekullit 21 në historinë botërore të drejtësisë.
“Në Prishtinë për të dëgjuar dhe mësuar më shumë pas fletë-rrufesë speciale që do të hyjë si njollë turpi e shekullit XXI në historinë botërore të drejtësisë e cila praktikën e akuzës publike pa aktakuzë juridike e ka njohur veç në epokat e sundimeve ideologjike a para tyre!”, ka shkruar ai në Twitter.
Shefi i qeverisë shqiptare i ka nisur takimet në Kosovë me kryetarin e Nismës Socialdemokrate Fatmir Limaj me të cilin do të ketë edhe një drekë pune.
🇦🇱🇽🇰NË PRISHTINË PËR TË DËGJUAR DHE MËSUAR MË SHUMË PAS FLETË-RRUFESË SPECIALE QË DO TË HYJË SI NJOLLË TURPI E SHEKULLIT XXI NË HISTORINË BOTËRORE TË DREJTËSISË,E CILA PRAKTIKËN E AKUZËS PUBLIKE PA AKTAKUZË JURIDIKE E KA NJOHUR VEÇ NË EPOKAT E SUNDIMEVE IDEOLOGJIKE A PARA TYRE!
— Edi Rama (@ediramaal) June 29, 2020
Pas Limajt, ai do të takohet me kryeparlamentaren Vjosa Osmani, kryeministrin Avdullah Hoti, të parin e PDK-së Kadri Veseli dhe presidentin Hashim Thaçi.
Në ndërkohë, Rama do të ketë një takim edhe me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurtin, ndërsa akoma nuk është konfirmuar një takim me të parin e AAK-së Ramush Haradinaj.