Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë takimit me emigrantët shqiptarë në stadiumin Galatsi në Athinë, foli për kohën kur shqiptarët ishin emigrantët në Athinë dhe vuajtjet me të cilat janë përballur.
Kreu i qeverisë tha se ata luftuan dhe ia dolën. Sipas tij, tani shqiptarët nuk janë më shërbëtorë, por të zotë të barabartë në Greqi.
“Ndonjë tha se unë nuk duhej të vija për vizitë tek ju, por mbase kur ta shohin këtë shfaqje gëzimi familjar, ata do kuptojnë që unë nuk kam ardhur të takohem me shërbëtorët e tyre të dikurshëm. Kam ardhur të çmallem me të zotët e barabartë të kësaj shtëpie. Kam ardhur të flas me qytetarët e barasvlershëm në Europën demokratike. Ju shqiptaret e Greqisë jeni sot një vlerë e shtuar e punës, e ekonomisë, dijes, kulturës së këtij vendi të bekuar ku qëndron prej 25 shekujsh djepi i filozofisë dhe demokracisë me të cilin na lidh jo vetëm fqinjësia. Fatet tona, zakonet, shtigjet e jetës dhe rrugët e vështira tona”, u shpreh Rama.