Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka propozuar që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, të mbyllen në një konferencë dhe të mos lejohet të dalin derisa të përfundojnë bashkëbisedimin e t’i trajtojnë të gjitha pikat.
Sipas tij kjo është forma e duhur për t’u siguruar zbatimi i të gjitha marrëveshjeve.
“Dy liderët duhet të merren dhe të mbyllen brenda në një konferencë, pa të drejtë dalje deri kur të përfundoj bashkëbisedimi, që të trajtohen ato pika, që askush nuk i kundërshton, por në të njëjtën kohë secili ia hedh tjetrit fajin pse nuk zbatohen, sepse s’ka vullnet. Ky është fakti”, ka theksuar Rama në një konferencë për media të mbajtur të premten.
Sipas tij i vërmi përfitues nga kjo situatë është presidenti i Rusisë Vladimir Putin.
“I vetmi përfitues nga kjo situatë është zotëria që rri i mbyllur në bunkerin e tij në Kremlin”, është shprehur Rama.
Ai në këtë konferencë ka ripërsëritur thirrjet për lirimin pa kushte të tre zyrtarëve policorë të Kosovës, që janë kidnapuar nga Serbia. Ai mbajtjen e tyre në paraburgim e quajti “mbajtje peng”, derisa ka kritikuar qëndrimin që ka mbajtur Serbia.
“Mbajtja e tyre në burg është e pajustifikueshme dhe përpjekja për ta mbuluar këtë lajthitje shtetërore për mbajtjen e 3 policëve të huaj, duke ngritur zërin për arrestimin e disa shtetasve serbë nga policia e Kosovës, është tejet shqetësuese”, ka deklaruar Rama.