Rama përmend Rugovën, UÇK-në dhe Thaçin, si faktorë kryesorë që mundësuan ardhjen në këtë ditë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në fjalimin e tij në mbledhjen e dy kuvendeve, të Shqipërisë dhe Kosovës, ka përmendur LDK-në dhe UÇK-në, pa të cilët tha se nuk do të mund kuptohej ardhja deri në këtë ditë.

“Dy emra do të sjellë në vëmendje këtu, pa të cilët nuk mund të kuptohet sot, as ardhja deri në këtë ditë dhe as vazhdimësia përtej kësaj dite; Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës, dhe të dyja këto natyrisht lidhen me Ibrahim Rugovën, një i munguar i madh sot, pasi u nda nga jeta para kohe por me mision të kryer, dhe Hashim Thaçin, një tjetër i munguar sot në këtë sallë, i cili është i ndarë prej nesh përkohësisht, në një mision që vazhdon”, tha Rama.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në mbledhjen e përbashkët të dy Kuvendeve shqiptare, tha se “njohja përfundimtare” e Kosovës do të vijë.

Në fjalën e tij para deputetëve të Kosovës dhe Shqipërisë në Tiranë, kryeministri shqiptar tha se Kosova nuk do të presë gjatë.

“Unë besoj se edhe njohja e saj përfundimtare do të vijë më herët sesa vonë dhe se Kosova nuk do të presë kaq sa ka pritur qysh se ka shpallur pavarësinë për t’u njohur përfundimisht, ndërkombëtarisht dhe për të qenë e pranishme në çdo instancë të gjithë organizimit të përgjithshëm të botës ku ne jetojmë”, tha Rama.