Kryeministri Edi Rama, tha në Kuvend se nga Shqipëria nuk janë transportuar mbetje të rrezikshme në Tajlandë apo Kinë.
Kështu ai iu përgjigj opozitës, e cila e ka thirrur në interpelancë për të dhënë shpjegime në lidhje me denoncimin e bërë nga disa organizata ndërkombëtare të mjedisit se dy anije të nisura nga Porti i Durrësit, po transportonin rreth 800 tonë me lëndë të rrezikshme drejt Azisë. Sipas kërkesës për interpelancë të opozitës, anijet ishin nisur në korrik, pa konfirmim se vendi pritës, Tajlanda, do t’i pranonte.
“Kur Qeveria e Tajlandës mësoi për llojin e ngarkesës që transportonin anijet, refuzoi t’i pranonte në territorin e saj, siç raporton ‘Bloomberg’”, u tha në kërkesën për interpelancë të paraqitur nga opozita shqiptare.
Opozita pretendon se kjo ngarkesë është pluhuri i furrës, një produkt mbetjesh i rrezikshëm, që zakonisht vjen nga riciklimi i skrapit te çelikut dhe përmban okside metalike toksike si kadmiumi dhe kromi, që janë të dëmshëm për shëndetin dhe mjedisin.
Në kërkesën e opozitës u theksua se ky lloj pluhuri kërkon trajtim të kushtueshëm dhe për këtë arsye kompanitë që e prodhojnë, kërkojnë të shmangin shpenzimet.
Gazmend Bardhi, kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, në opozitë, tha se dy anijet me 100 kontejnerë, që mbajnë rreth 816 tonë mbetje, po kthehen në Durrës.
Kryeministri Rama deklaroi se të gjitha pretendimet e opozitës janë “televonelë politike, akuza dhe fantazi për të helmuar popullin shqiptar”.
“Të gjitha janë vetëm dyshime. Nuk ka prova dhe as certifikime. Por, organet tona po hetojnë. Në të dyja rastet, atij nga Elbasani, në Durrës dhe në Tajlandë, e nga Kosova në Kinë përmes Durrësit, mallrat janë transportuar me të gjithë dokumentacionit përkatës, përmes linjave konterenike ndërkombëtare me reputacion të padiskutueshëm”, tha ai.
Rama tha se asnjë nga vendet evropiane, përmes së cilave kanë kaluar këto mbetje, nuk kanë pasur kundërshtime.
Rrjeti i Aksionit të Bazelit, BAN, që është ekspert në fushën e çështjeve të drejtësisë mjedisore, ishte i pari që ngriti këtë çështje më 5 gusht.
“Nëse konfirmohet se janë mbetje të rrezikshme, sipas dispozitave të Konventës së Bazelit, Traktatit të Kombeve të Bashkuara që rregullon tregtinë e mbetjeve të rrezikshme dhe mbetje të tjera, kontejnerët mund të sekuestrohen dhe të riatdhesohen në Shqipëri”, u tha në njoftimin e këtij rrjeti.
Më 21 gusht, Prokuroria e Durrësit njoftoi se ka nisur hetimet, në bashkëpunim me Zyrën Evropiane kundër Mashtrimit Ekonomik (OLAF).
Hetimet kanë nisur mbi bazën e materialeve të referuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave për “Kontrabandë me mallra të ndaluara ose të kufizuara”. Ndërsa Drejtoria e Policisë së Durrësit referoi materialin hetimor për dyshimet për “Transportim të mbetjeve” dhe “Shpërdorim detyrës”, bazuar në “informacione të marra nga mediat”.
Kjo ngarkesë prej rreth 800 tonësh e ka zanafillën te mbetjet e krijuara gjatë proceseve teknologjike nga aktiviteti i kompanisë turke ‘Kurum’, në zonën e ish-kombinatit metalurgjik në Elbasan.
Tri ditë pas Prokuroria njoftoi nisjen e hetimeve, Qeveria shqiptare reagoi përmes dy ministrive, asaj të Infrastrukturës dhe të Turizmit dhe Mjedisit, duke i konsideruar aludime, lajmet në media se nga Shqipëria janë transportuar mbetje të rrezikshme, ndërsa u sqarua se për çfarë mbetjesh bëhet fjalë dhe nga janë nisur.
“Në të dyja rastet e përfolura të transportit, nga Elbasani drejt Tajlandës dhe nga Kosova drejt Kinës, mallrat e deklaruara si okside/hidrokside hekuri apo koncentrat zinku, janë transportuar nga Porti i Durrësit drejt porteve evropianem përmes linjave konterenike ndërkombëtare me reputacion të padyshimtë dhe nuk janë bërë objekte kontrollesh në vendet e BE-së, ku kanë ndaluar dhe janë magazinuar përkohësisht, por janë lejuar të vijojnë itinerarin e tyre”, u tha në reagimin e dy ministrive.
Sipas Qeverisë shqiptare, “nga verifikimet e të dyja proceseve logjistike, si dhe të ngarkesave të ngjashme në të kaluarën, mallra me klasifikim të tillë nuk janë konsideruar asnjëherë si mbetje të rrezikshme nga organet doganore dhe mjedisore”. Në reagim po ashtu u tha se këto mallra nuk janë të ndaluara dhe për pasojë autoritetet nuk mund të kritikohen nga opozita për mosveprim.
Dy ministritë thanë se “deklarimi i ngarkesës si mall i rrezikshëm apo mbetje e rrezikshme është detyrim i eksportuesit apo importuesit”.
Edhe pse nuk pati asnjë deklaratë nëse këto mbetje do të ktheheshin, Qeveria shqiptare theksoi se “nuk mundet që Shqipëria të pranojë apriori rikthimin e ngarkesave të tilla, aq më tepër vetëm mbi bazën e dyshimeve e të spekulimeve, pa realizimin e analizave shteruese dhe provave ligjore të besueshme dhe të verifikueshme”.
Duke ftuar që të pritet rezultati i hetimeve në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtare Qeveria shqiptare tha se përgjegjësia në çdo rast u takon operatorëve ekonomikë, përkatësisht njërit në Shqipëri e tjetrit në Kosovë.
Opozita në Shqipëri pretendon se kompania “Kurum International” ka shkelur ligjin për mënyrën e përpunimit të mbetjeve të rrezikshme që prodhon, ndërkohë që kompania “Sokolaj” sh.p.k. ka shkelur ligjin, lidhur me transportin e mbetjeve toksike të rrezikshme. Gjithashtu sipas opozitës autoritetet përgjegjëse kane shkelur ligjin duke mosvepruar ndaj këtyre shoqërive private. Opozita akuzoi Qeverinë për mungesë transparence për këtë çështje. /REL/