Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, do ta vizitojë sot pasdite Kosovën, në një tur ballkanik në kuadër të Procesit të Berlinit që e nisë paradite në Maqedoninë e Veriut.
Rama pritet të takohet me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, nga ora 16:00 e kryetarin e Kuvendit të Kosovës në orën 17:15.
Por Rama në agjendën që e ka publikuar në Facebook ka shkruar se është “në pritje të konfirmimit” të takimit me kryeministrin Albin Kurti, i cili të mërkurën tha se është i gatshëm ta presë Ramën në takim vetëm në kuadër të mbledhjes së dy qeverive, përndryshe jo.
Më 13 qershor, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, kishte anuluar mbledhjen e përbashkët me Qeverinë e Kosovës, që ishte paraparë të mbahej në Gjakovë.
Ai kishte thënë se “shkaku i acarimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe bashkësisë euroatlantike, takimi nuk mund të mbahej në formatin e parapaë”.
Rama kishte propozuar takim në format më të ngushtë, me ministra të jashtëm dhe të mbrojtjes, porse ky format nuk ishte pranuar nga Kurti.