Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka zhvilluar sot një drekë pune me homologun kosovar Albin Kurti në Tiranë.
Pas takimit ai ka bërë një postim në llogarinë e tij në Facebook, ku tregon se e mbështet Kurtin në lidhje me çështjen e vetëmenaxhimit të komunitetit serb, përcjell Klankosova.tv.
“E inkurajova kryeministrin në hedhjen e hapave të mëtejshëm, qoftë për garantimin e komunave serbe në kornizën e asociacionit që garanton vetëmenaxhimin e komunitetit serb, qoftë për funksionimin me garancitë e nevojshme të Kishës Serbe në vendet e saj të kultit në Kosovë, duke e siguruar se në këtë proces jo të lehtë ai ka mbështetjen time më të plotë”, ka shkruar ai.
Postimi i plotë i Ramës në Facebook:
🔴 Me mikun e posaçëm, kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, gjatë drekës së sotme ku diskutuam me detaje për marrëveshjen e Ohrit dhe ecurinë e mëtejshme të procesit të zbatimit të saj.
I shpreha Albinit të gjithë simpatinë time për kurajon dhe realizmin me të cilin ka hedhur hapa me rëndësi të madhe drejt normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë. E inkurajova kryeministrin në hedhjen e hapave të mëtejshëm, qoftë për garantimin e komunave serbe në kornizën e asociacionit që garanton vetëmenaxhimin e komunitetit serb, qoftë për funksionimin me garancitë e nevojshme të Kishës Serbe në vendet e saj të kultit në Kosovë, duke e siguruar se në këtë proces jo të lehtë ai ka mbështetjen time më të plotë.
Ramë dakord që mbledhja e ardhshme e të dy qeverive të mbahet në qershor🇦🇱🫶🇽🇰