Pas Sarajevës, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama është nisur drejt Malit të Zi.
Në Mal të Zi, Rama është pritur në takim nga homologu, Dritan Abazoviq.
Kështu ka bërë të ditur përmes një postimi në Facebook vetë Abazoviq i cili ka publikuar disa fotografi me Ramën.
Pastaj do të kenë një konferencë të përbashkët për media me kryeministrin malazez, Dritan Abazoviq.
Ai do të takohet edhe me presidentin e Malit të Zi, Jakov Millatoviq.
Më herët, Rama ishte në Sarajevë, ku ka kërkuar nga Bosnja dhe Hercegovina që qytetarëve të Republikës së Kosovës duhet t’u mundësohet lëvizja me letërnjoftime.
Në mbrëmje pritet të shkojë në Serbi ku pritet të takohet me presidentin, Aleksandër Vuçiq.
Të enjten e 6 korrikut, Rama ishte për vizitë në Kosovë, ku është pritur në takim nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeparlamentari, Glauk Konjufca.
Ndërsa takim me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, nuk pati.
Gjatë ndalesës së parë të këtij turi, Rama deklaroi në Shkup që “unë kam akoma shpresë që Albini nuk e ka harruar Kanunin që kur të vjen në shtëpi edhe hasmit i hapet dera. Është e ndaluar ta nxjerrësh deri kur ai të mbarojë fjalën”.
Më 5 korrik, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i propozoi Ramës një mbledhje të përbashkët të të dy qeverive, dhe me atë rast të nënshkruhen marrëveshjet “që janë të dakorduara që janë në sirtarë dhe në këtë mënyrë t’i zbatojmë një orë e më parë të gjitha ato”.
Rama këto vizita po i zhvillon për t’u konsultuar me përfaqësuesit e vendeve të Ballkanit Perëndimor para Samitit të Berlinit që do të mbahet në Tiranë më 16 tetor.