Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, kanë nënshkruar të mërkurën në Tiranë “Traktatin e Miqësisë dhe Bashkëpunimit” dhe dy vendeve.
Ata e kanë nënshkruar këtë traktat në kuadër në samitit “Ukrainë – Evropa Juglindore” që po mbahet në kryeqytetin e Shqipërisë.
Kryeministria e Shqipërisë ka thënë se “traktati i shërben konsolidimit të miqësisë mes dy vendeve dhe popujve, përmes zgjerimit dhe forcimit të bashkëpunimit në fusha të ndryshme me interes të ndërsjellë”.
Në nisje të ceremonisë, Zelensky i ka dorëzuar Ramës, Urdhrin e Princit Jarosllav i Urti, për, siç është thënë, kontributin e jashtëzakonshëm personal.
Më herët gjatë ditës, në Tiranë janë takuar edhe ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba me ministrin e Shqipërisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani.
Kuleba e ka falënderuar të mërkurën Shqipërinë për organizimin e samitit për vendin e tij dhe ka përsëritur se është shumë e rëndësishme që Rusia të mbahet përgjegjëse për luftën e nisur në Ukrainë më 2022.
Ai e ka falënderuar Shqipërinë për nismat e saj humanitare pas nisjes së luftës, përfshirë rehabilitimin e fëmijëve, prindërit e të cilëve janë vrarë në luftë.
Kryediplomati shqiptar, Igli Hasani, ka bërë të ditur se autoritetet janë në fazën e përgatitjeve për hapjen e Ambasadës shqiptare në Kiev, dhe se shpreson që inaugurimi të ndodhë “në muajt e ardhshëm”.
Në samitin në Tiranë do të marrin pjesë disa liderë të Evropës juglindore.
Sipas agjendës Rama dhe Zelensky pritet të mbajnë fjalime hapëse dhe pastaj një takim prapa dyerve të mbyllura.
Samiti do të përmbyllet me daljen e tyre në një konferencë për media.
Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022.
Presidenti rus Vladimir Putin e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.
Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.