Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, ka thënë se jeta për serbët në Kosovë do të vështirësohet nëse Qeveria e Kosovës zbaton dy vendimet e paralajmëruara për letërnjoftimet dhe targat.
Ai në një adresim nga Qeverisë e Serbisë në Beograd, ku të pranishëm ishin edhe katër kryetarët e komunave veriore, tha se së fundi i është kërkuar nga vendet e QUINT-it, atij dhe të tjerëve, që të pranojnë pavarësinë e Kosovës.
“Ato vende e njohin pavarësinë e Kosovës, prandaj edhe ata si përfaqësues të vendeve nga vijnë e mbështesin pavarësinë, absolutisht i përkrahin vendimet që merr Prishtina, e në veçanti nënvizuan dhe theksuan se mbështesin vendimet e Prishtinës për tabelat dhe letërnjoftimet”, u shpreh ministri i Qeverisë së Kosovës për Kthim dhe Komunitete, Rakiq, përcjell “b92” të martën.
Ai është ankuar edhe për atë se siç tha “fëmija i tij duhet të kalojë kufirin për të shkuar në Serbi”.
Ai po ashtu ka thënë se po dëgjohet se atyre që jetojnë në Kosovë e Metohi do t’u lëshohet një dokument që do t’u lejojë të qëndrojnë në Kosovë e Metohi për 90 ditë.
“Tani duhet të pranojmë që jemi të huaj atje”, tha Rakiq.
Rakiq ka folur edhe për presionin sipas tij ndërkombëtar për të pranuar realitetin në terren.
Qeveria e Kosovës ka paralajmëruar se nga 1 shtatori do të zbatojë reciprocitetin për lëshim të dokumenteve për shtetasit serbë në hyrje të Kosovës, njësoj siç bën Serbia me shtetasit e Kosovës.
Po ashtu, Qeveria u ka dhënë dy muaj kohë të gjithë atyre që kanë vetura me targa ilegale serbe, të lëshuara në emër të qyteteve të Kosovës, që t’i ndërrojnë ato.