Mikrobiologu i njohur kosovar, Lul Raka, ka thënë se është lajm i mirë që Kosova ka numër të vogël të të infektuarve me koronavirus.
“Sot, sipas trendit aktual, jemi nder katër shtetet që ka trend të uljes së infeksionit, bashkë me Bosnjën, Maltën dhe Luksemburgun. Ky është shumë lajm i mirë pasi që jemi futur në sezonin vjeshtë-dimër”, ka thënë Raka.
Mirëpo, sipas tij, ky trend assesi nuk na bën që të lirohemi, sikurse ndodhi herën e parë që na solli në situatë të palakueshme, ku u ngarkua sistemi shëndetësor.
I pyetur për të ashtuquajturën valë të dytë, Raka ka thënë se nuk ka ndonjë standard ndërkombëtar që e përcakton se kur fillon apo kur përfundon vala e parë dhe fillon vala e dytë.
“Një valë të re e përcakton rritja e numrit. Faktorët e valës së dytë janë gripi sezonal, mbyllja brenda dhe kthimi i nxënësve në shkolla. Mundësitë për përhapjen e virusit janë të favorshme në këtë kohë”, ka shtuar thënë Raka, për televizionin publik, RTK.
Sa i përket mbylljes totale të mundshme, Raka tha se në parim është kundër kësaj forme të izolimit.
“Jam kundër mbylljes totale në këtë fazë. Të gjithë kemi bërë përvojë me koronavirusin, dhe mbyllja totale nuk është opsion. Deri te opsioni i fundit duhet të përdorën të gjithë mekanizmat, por jo mbyllje totale”, ka theksuar mikrobiologu.
Duke folur për grupmoshat që e prekura nga Coronavirusi, Raka tha se gjatë verës janë bërë hulumtime që kanë dhënë shifra interesante.
“Të prekurit në fazën e parë ishin persona mbi 65 vjeç, kurse në përiudhën e dytë, korrik-gusht, grupmoshat e prekura ishin 20-29 vjeç. Një prej faktorëve të përhapjes së virusit ka qenë kjo grupmosha e re, pasi që janë asimptomatik”, ka thënë tutje Raka.
Lidhur me burimet e infeksioneve, Raka tha se në Evropë, respektivisht në Spanjë dhe në Francë, burimet e infeksionit kanë qenë klubet e natës. “Po ashtu baret dhe restorantet ishin ato që i japën zjarr koronavirusit”.
Sa i përket burimit të infeksionet në Kosovë, Raka thotë se janë baret dhe restorantet, pastaj ditëlindjet, dasmat, kishat dhe xhamitë.
“Edhe institucionet publike janë burim i infeksionit në Kosovë. Sjellja jonë është faktori kryesor në zbatimin e masave”, tha Raka.
Sipas tij, shteti duhet të mbikqyr zbatimin e masave për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.