Po bëhen gjashtë muaj prej se në Kosovë u shfaqën rastet e para me koronavirus, kurse shqetësimi për valën e dytë të përballjes, sipas tij, e ka e gjithë bota.
Sipas mikrobiologut Lul Raka varet nga qytetarët dhe institucionet qeveritare, se sa e vështirë do të jetë vala e dytë e përballjes me pandeminë në Kosovë.
Kryesuesi i Bordit Këshillëdhënës për Luftën Kundër COVID-19, Lul Raka në intervistën me kryeredaktorin e Telegrafi.com, Muhamet Hajrullahu, në emisionin “Përballje”, ka folur për situatën pandemike në Kosovë, për valën e dytë të përballjes me pandeminë, për hapjen e teatrove e kinemave, për sport e edhe për hapjen e shkollave në Republikën e Kosovës.
“Vend për shqetësim ka kudo në botë, sepse për faktin e mbylljes, kthimit në hapësira të mbyllura, me rritjen e qarkullimit të njerëzve, me kthimin në shkolla, edhe me kthimin e virusit sezonal të gripit, këto janë faktorë të cilët janë elemente për shqetësim. Mirëpo, rezultati përfundimtar varet nga ne dhe nga institucionet qeveritare, nëse i zbatojmë masat parandaluese, është vërejte respektim i zbatimit të masave edhe numrat janë reflektim i atij zbatimi edhe harmonizimi edhe veprimi të përbashkët, njëkohësisht edhe populli edhe qeveria edhe shteti”, u shpreh Raka.
Edhe për institucionet shëndetësore, situata do të jetë më lehtë e menaxhueshme nëse zbatohen masat parandaluese, kurse sipas Rakës nuk do të ketë numër të madh të rasteve në valën e dytë
“Nëse i zbatojmë masat parandaluese, atëherë numri i rasteve ka me qenë i menaxhueshëm për institucionet shëndetësore. Nuk ka me pas numër të madh nëse i zbatojmë masat. Në të njëjtën kohë deri në fillim të tetorit, veç kanë nis përgatitjet në të gjitha nivelet për tu përgjigjur sa më mirë. Sa më mirë, atëherë ka më pas infuzion edhe me staf të ri, kanë me u pranu edhe staf i ri të cilët do të jenë ndihmesë”, u shpreh Raka.
Raka tha se do të kenë kohë për tu furnizuar edhe me respiratorë, teste e me ngritje të kapaciteteve të testimit për valën e dytë.
“Ka me pas kohë edhe me u furnizu me respiratorë, për furnizim me teste, me ngritjen e kapaciteteve të testimit, në mënyrë që edhe të fuqizohen, në mënyrë që të bëhet gjurmimi e izolimi i personave të sëmurë. Këtu është poenta, rezultati përfundimtar varet tërësisht prej nesh”, u shpreh Raka.