Raka flet pasi u kërcënua: Sharjet dhe kërcënimet nuk më kanë ndalur asnjëherë në jetë

Mikrobiologu Lul Raka përmes një shkrimi në llogarinë e tij në Facebook ka thënë se nuk do të ndalet pas sharjeve dhe kërcënimeve që i ka marrë mbrëmë.

Ai tha se e kupton që gjendja pandemike e shkaktuar nga korovavirusi, tek shumë persona ka ndikuar në vendin e punës, biznese dhe shqetësime psikologjike.

Raka tha se kërcënimet nuk e kanë ndalur asnjëherë, përkundrazi e kanë motivuar.

Krejt në fund, Raka citoi një shprehje të ish-kryeministrit britanik Winston Churchillit. 

Më poshtë gjeni shkrimin e plotë:

Të nderuar/a,

Ju falënderoj për mbështetjen Tuaj dhe ju kërkoj falje për shqetësimin që ua kam bërë me mesazhin e mbrëmshëm, të cilin e publikova pas denoncimit në polici.

E kuptoj shqetësimin e shumë njerëzve që mendojnë ndryshe nga unë dhe më bëjnë fajtor kujdestar për problemet e tyre të përditshme- nga humbja e vendeve të punës, bizneseve apo shqetësimeve psikologjike. Prandaj, edhe nuk jam përgjigjur në sharje, ofendim apo nënçmim nga ata që kanë pasur mendime tjera. Këtë dukuri e kam kuptuar si pjesë përbërëse të ecurisë së pandemisë dhe pjesë normale e sfidës në të cilën jam futur.

Kosova është vend i të gjithëve. Sharjet dhe kërcënimet nuk më kanë ndalur asnjëherë në jetë. Përkundrazi, janë motiv shtesë për të punuar edhe më shumë për një Kosovë edhe më të bukur.

Si çdo njeri edhe unë do ta mbroj familjen në çdo kohë, nga çdokush dhe me çdo mjet.

Winston Churchill: “Asnjëherë nuk do të arrish në cak, nëse çdo herë ndalesh që të pushosh një qen që leh”