Mungesa e investimeve të huaja ka dëmtuar tej mase Kosovën, ndërsa dëm po aq të madh po i sjellin edhe tensionet në veri, ka thënë kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna.
Rafuna ka deklaruar se tensionet në veri e dëmtojnë imazhin e Kosovës në sytë e investitorëve potencialë, ndërkaq kërkon më shumë angazhim në përmbyllje të dialogut me Serbinë.
“Tek pjesa investimeve kemi nevojë shumë, është e vërtetë që nuk qëndrojmë mirë, sidomos në kuptimin që me sjell prodhues, me sjell brende që janë të njohur jo vetëm në Evropë po edhe më gjerë. Pra brende që janë të njohura botërisht, të cilat neve nuk kishin me na sjell vetëm të mira materiale në kuptimin e makinerisë por do të na kishin sjell edhe njohuri domethënë kohën e njëjtë do të na kishin shërby edhe për të mirë për ta ndryshuar imazhin e Kosovës dhe për të përçuar një mesazh edhe të investitorë të tjerë që Kosova është një vend stabil”, thotë Rafuna.
Teksa ka theksuar se për të sjellë investitorëve të huaj në Kosovë, e nevojshme është edhe përmbyllja e dialogut me Serbinë.
Duke folur për ndikimin nga tensionet në veri, Rafuna është shprehur se ato “pa dyshim që nuk janë një mesazh i mirë për investitorët e huaj”.
Sipas Rafunës, masat e Bashkimit Evropian e kanë goditur Kosovën me humbjen e miliona eurove për shkak të projekteve që nuk mund të implementohen.
“Kërkesa jonë orientohet te qeveria që të bëjë gjithçka brenda kapaciteteve të tyre, që t’i plotësojnë kushtet që kërkohet në mënyrë që të largohen sa më shpejt këto masa se jo vetëm që po ndikojnë që ne mos me thith burime mos me thith projekte, projekte që deri më tani sipas informatave që i kemi sillen rreth 300 milionë, mirëpo kjo shkon duke u rritur për arsye se çdo muaj vinë projekte të reja që ne nuk mund t’i marrim se nuk mund të implementojmë për shkak të masave që janë vendos”, ka deklaruar Rafuna./ EO