Radoniqi: Kemi probleme me aplikacionin, votat do t’i numërojmë manualisht

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, ka thënë se KQZ-ja pas shumë përgatitjeve dhe testimeve që kanë bërë, gjithçka ishte gati që sot të transmetojmë rezultatet preliminare.

Por, sipas Radoniqit, për arsye se aplikacioni për përpunimin dhe prezantimin e të dhënave nuk ka funksionuar dhe nuk po arrijnë që t’i transmetojmë këto të dhëna përmes platformës elektronike.

“Në këto rrethana KQZ-ja ka shqyrtuar situatën dhe ka vendosur që të mbledh të dhënat në mënyrë manuale nga të gjitha vendvotimet përmes formularëve të rezultateve për subjektet politike, që tashmë janë plotësuar në vendvotime pas numërimit të fletëvotimeve”, tha Radoniqi.

Ai tha se KQZ-ja i siguron qytetarët se mos transmetimi i të dhënave për subjektet politike përmes platformës elektronike, nuk ka asnjë ndikim në rezultatet që janë pjesë e këtyre formularëve.