Komuna e Istogut është në pritje të rezultateve të 23 personave të cilët janë testuar për koronavirus.
Pas gati një muaj, pandemia e COVID-19 u rikthye në këtë komunë pasi para tri ditëve u konfirmua një rast pozitiv me infeksion, i cili është nga fshati Shushicë dhe është rasti i vetëm aktiv.
Kështu ka bërë të ditur drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Istogut, Mujë Osmanaj, i cili shtoi se kjo komunë po arrin ta menxhojë mirë situatën me COVID-19 pasi që nga fillimi i pandemisë e deri sot atje janë konfirmuar vetëm 7 raste pozitive, prej tyre 5 të shëruar edhe një rast aktiv.
Anipse në listat e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike figurojnë 9 raste të prekura me koronavirus, një prej tyre i vdekur, Osmanaj i ka thënë Sinjalit se këto të dhëna janë të pasakta. Ai thotë se Istogu nuk ka shënuar asnjë viktimë, ndërsa një person që është konfirmuar pozitiv me COVID-19 nga Instituti, thotë se nuk ka qenë fare i infektuar.