Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që qytetarët që kanë mbetur jashtë Kosovës, mund t’iu lejohet ardhje me leje të veçantë të ministrit të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Ambientit, pas konsultimit me ministrin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe ministrin e Ministrisë së Punëve te Jashtme dhe Diasporës.
Në një njoftim për media, thuhet se Qeveria e Republikës së Kosovës, në mbledhjen e 12-të korresponduese, të ftuar nga kryeministri i Republikës së Kosovës Albin Kurti, ka marrë vendim për plotësimin dhe ndryshimin e Vendimit të Qeverisë Nr. 01/09, të datës 13 mars 2020.
“Sipas vendimit, ndryshohet dhe plotësohet pika 5. e Vendimit të Qeverisë Nr. 01/09, të datës 13 mars 2020, ashtu që pas fjalëve “Përjashtim bëjnë linjat e udhëtimit në ardhje me ekuipazh por pa udhëtarë, që shërbejnë vetëm për largim të udhëtarëve nga Kosova”, shtohen fjalët si në vijim: “Gjithashtu, përjashtim bëjnë linjat e udhëtimit në ardhje me udhëtarë, të cilët janë shtetas të Republikës së Kosovës të cilëve ju pamundësua kthimi për shkak të Vendimit të lartpërmendur të Qeverisë Nr. 01/09, apo staf diplomatik të akredituar në Republikën e Kosovës, të cilave linja ju mund t’ju lejohet ardhje me leje të veçantë të ministrit të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Ambientit, pas konsultimit me ministrin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe ministrin e Ministrisë së Punëve te Jashtme dhe Diasporës”, thuhet në njoftim.
Qeveria, tutje thotë se “Obligohet Ministria e Infrastrukturës dhe Ambientit, Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, dhe institucionet tjera relevante të kryejnë të gjitha procedurat për zbatimin e këtij vendimi”.