Quni: KFOR po heton rastin e hyrjes së xhandarëve serbë, FSK po zbaton veprimet e duhura

Ministri i Mbrojtjes Anton Çuni, është deklaruar pas rastit të djeshëm në Karaçevë të Kamenicës ku janë vërejtur lëvizje të Xhandërmarisë serbe.

Çuni për Klan Kosova tha se që nga momenti i njoftimit për rastin ka qenë në kontakt me komandantin e KFOR-it Michele Rissi.

“Që nga momenti kur është njoftuar për lëvizjen e forcave serbe brenda territorit të Kosovës jam në kontakte të vazhdueshme me Kryeministrin Hoti dhe Komandantin e KFOR-it gjeneral Risi. Po ashtu kam biseduar me Kryetarin e Komunës së Kamenicës zotin Qëndron Kastrati”.

I pari i Mbrojtjes në Kosovë tha se rasti po hetohen nga KFOR-i dhe autoritetet vendore të sigurisë.

“Rasti është duke u hetuar nga autoritetet e KFOR-it dhe institucionet vendore të sigurisë. Besoj se së shpejti do ta kemi raportin e saktë mbi natyrën dhe motivin e kësaj ngjarjeje. Nga ana e FSK-së janë duke u zbatuar veprimet e duhura nën drejtimin e Komandantit të FSK-së gjenerallejtënant Rrahman Rama”.