Keshilli Koordinues ndërmjet shoqatave të qumështarëve i ka shkruar letër të hapur ministres së Financave, Hykmete Bajrami.
Letra e plotë;
Mos e pengoni vendimin për ndalimin e vajit të palmës!
E nderuara ministre Bajrami
Kemi marrë informacion që ju dhe ministria që ju e udhëhiqni jeni duke e stopuar vendimin e marrë të premten nga MTI-ja për ndalimin e përkohëshëm të importit të vajit të palmës.
Ne nuk i dijmë saktësisht arsyet e këtij veprimi nga ana juaj, por ne i dijmë arsyet pse duhet të ndalohet importimi i vajit të palmës.
Fillimisht duhet sqaruar, që siq edhe ju me siguri e dini, vaji i palmës është vërtetuar si kancerogjen dhe gjenotoksik edhe nga Agjencioni Evropian i Ushqimit.
Më tutje, me importin e pakontrolluar të vajit të palmës është ngopur tregu me produkte kinse të qumështit, të cilat për shkak të përmbajtjes së lartë të këtij vaji kanë çmim jashtëzakonisht të ulët në treg, duke e bërë të pamundshëm ekzistencën e produkteve me qumësht të vërtetë që gjithsesi dalin më çmim më të lartë.
Për shkak të kësaj janë duke u krijuar nga 70.000 litra tepricë qumështi për çdo ditë, të cilat fermerët janë të detyruar t’i asgjësojnë.
Për shkak të importit të pakontrolluar të vajit të palmës, rrezikohet ekzistenca ekonomike e 5000 fermerë, 30 mijë të punësuarve direkt dhe indirekt në këto ferma, rrezikohet ekzistenca ekonomike e 100 pikave grumbulluese me qindra të punësuar, rrezikohet ekzistenca e mbi 30 përpunuesve të qumështit dhe rreth 1000 të punësuarve në këto fabrika. Thjesht rrezikohet ekzistenca e sektorit të qumështit.
Por mbi të gjitha, mos harroni: ky vaj është kancerogjen e gjenotoksik dhe rrezikon drejtëpërdrejt shëndetin publik, duke krijuar kështu edhe një kosto të paimagjinueshme.
Andaj, e nderuara ministre Bajrami ju lusim që të obligoni doganat që janë nën ombrellën e ministrisë suaj të ndalojnë importin e këtij vaji sipas vendimit të MTI-së, ndërkohë që grupet punuese të caktojnë modalitetet për furnizimet e prodhuesve të veçantë të produkteve tjera.
Me respekt Ramadan Memaj Kryetar i Keshillit Koordinues ndërmjet shoqatave