Ambasadat e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar, dhe SHBA-ve, përmes një komunikate kanë thënë se “pjesëmarrja në takime me udhëheqës institucional dhe politikë nuk sinjalizon miratim ose mbështetje për ndonjë pozitë të veçantë apo rrjedhë të veçantë veprimi.
“Ne bëjmë takime me udhëheqës politikë dhe institucionalë që t’i dëgjojmë pikëpamjet e tyre dhe për të pranuar informata, në mënyrë që t’i mbajmë qeveritë tona të informuara lidhur me zhvillimet. Kjo është në përputhje me praktikën normale diplomatike”, thuhet në komunikatën e vendeve të Quint-it.
Deklarata bëhet disa orë pasi presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka thënë se i ka njoftuar ambasadorët e Kuintit për hapat e ndërmarrë për krijimin e qeverisë së re.
“Pas konsultimeve me partitë politike i kam kërkuar Kryetarit të LDK-së, z. Isa Mustafa, të ofrojë kandidatin apo kandidaten për formimin e Qeverisë së re”, është shprehur presidenti Thaçi, duke shtuar se “çdo hap është dhe do të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës”, thuhet në postimin e Thaçit.