QUINT-i i kërkon Kurtit ta lejojë mbajtjen e referendumit serb në Kosovë

QUINT-i dhe Bashkimi Evropian i kanë bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që t’i lejojë serbët në Kosovë të votojnë në referendumin kombëtar të Serbisë, në një deklaratë të përbashkët të tyre për referendumin në Serbi për ndryshimet kushtetuese.

Franca, Gjermania, Italia, Mbretëria e Bashkuar, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë mirëpritur këtë referendum, duke shtuar se reformat janë hap para drejt përafrimit të Serbisë me standardet evropiane.

“Ne i bëjmë thirrje qeverisë së Kosovës që të lejojë serbët në Kosovë të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës në zgjedhje dhe procese zgjedhore në përputhje me këtë praktikë të vendosur”, thuhet në deklaratë.

Në thirrje të përbashkët është thënë se qeveria e Kosovës dhe ajo e Serbisë duhet të përmbahen nga veprimet që nxisin tensione.

Deklarata:

Ne kemi inkurajuar të gjithë qytetarët e Serbisë që të marrin pjesë në referendum dhe besojmë se është e rëndësishme që votuesit me të drejtë vote të mund të votojnë në zgjedhje dhe referendume. Vërejmë me keqardhje se qeveria e Kosovës nuk ka lejuar Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) të mbledhë fletëvotimet e votuesve me të drejtë vote që jetojnë në Kosovë për referendumin e ardhshëm, në përputhje me praktikën e kaluar. Ne i bëjmë thirrje qeverisë së Kosovës që të lejojë serbët në Kosovë të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës në zgjedhje dhe procese zgjedhore në përputhje me këtë praktikë të vendosur.

I bëjmë thirrje qeverive të Kosovës dhe Serbisë që të përmbahen nga veprimet dhe retorika që rrisin tensionet dhe të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Është e rëndësishme që të dyja qeveritë të arrijnë progres drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse që hape perspektivën e BE-së dhe rrit stabilitetin rajonal.