Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës ka konfirmuar se mbrëmjen e së mërkurës, rreth orës 18:00, në oborrin e QKUK-së ka ndodhur një vdekje.
“Organet policore menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes si dhe dyshimet e para nga Policia janë se bëhet fjalë për vrasje. Policia në koordinim me prokurorin e shtetit ka nisur një hetim dhe po vijon ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore dhe të ekzaminimit, me qëllim të sqarimit të plotë të ngjarjes. Detajet e tjera do të jepen nga organet kompetente që janë duke kryer hetimet”, kanë deklaruar nga QKUK.
Burime të Portalit Dukagjini kanë kuptuar se e ndjera ishte shtatzënë dhe e njëjta ishte qëlluar me armë zjarri, dyshohet se nga burri i saj.
Lajmin për Portalin Dukagjini e ka konfirmuar edhe zëdhënësja e Policisë ppër rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.
“Rreth orës 18:00, kemi pranuar informatën për një trup të pajetë, në oborrin e QKUK-së në Prishtinë. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes si dhe ekipi mjekësor të cilët kanë konstatuar vdekjen e viktimës, femër, rreth 35 vjeç. Mbështetur në informacionet e para, dyshimet e ngritura sugjerojnë se bëhet fjalë për vrasje. Aktualisht policia në koordinim me prokurorin e shtetit ka nisur një hetim dhe po vijon ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore dhe të ekzaminimit, me qëllim sqarimin e plotë të ngjarjes”, tha Ahmeti.