Qeveria zvogëlon shtesat e personelit shëndetësor, Arben Vitia tregon pse e morën këtë vendim

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë se shtesat e personalit shëndetësor janë zvogëluar për shkak të mungesës së buxhetit.

“Ministria e Financave ka ardhur me këtë propozim, propozim është miratuar në bazë të kapaciteteve buxhetore që ka shteti”, ka thënë Vitia në Kuvend, derisa i është përgjigjur pyetjes së deputetit Bekim Haxhiu, për atë se pse janë zvogëluar shtesat e stafit mjekësor. 

Qeveria Kurti në mbledhjen e fundit i ka zvogëluar shtesat edhe personelit shëndetësorë të cilët tash e një vit po përballen me virusin Covid-19, në vijën e parë të fronit.

Mjekët nga 250 euro sa e kishin pagën shtesë tani do të marrin vetëm 150 euro kurse infermierët nga 150 euro sa e kishin më parë tani do të marrin 100 euro.

Këtë vendim Kurti e mori në mbledhjen e tetë të qeverisë.

“Shtesa 150 euro për sektorin shëndetësorë, për muajt prill dhe maj, 100 euro për stafin teknik dhe 100 euro për sektorin e sigurisë (policinë), për ata që kanë qenë të angazhuar për zbatimin e masave”, kishte deklaruar Hekuran Murati, ministri i Financave.