Qeveria e Kosovës ka miratuar të shtunën kërkesën e Departamentit të Rezervave Shtetërore që furnizimi me produkte të rezervave shtetërore të mallrave të përjashtohet nga procedurat e prokurimit.
“Gjatë vitit të kaluar dhe këtij viti, Republika e Kosovës ka rritur sasinë e nevojshme të rezervave në përputhje me Programin për rezervat shtetërore. Ndërkaq vendimi i sotëm ka për qëllim lehtësimin e mëtejmë të furnizimit me produkte të rezervës shtetërore, sipas nevojave”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.
Sot gjatë ditës, Qeveria Kurti bëri thirrje që qytetarët të mos kenë panik për shkak të luftës në Ukrainë. Ministrja e Tregtisë, Rozeta Hajdari, njoftoi se vendi ka miell edhe për deri në 6 muaj.