Qeveria vendos për lirimin gradual të masave antiCOVID

Qeveria në mbledhjen e sotme ka miratuar propozim vendimin për shqyrtimin e masave të përgjithshme dhe të veçanta për kontrollin, luftimin dhe parandalimin e COVID-19.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka deklaruar se në dy javët e fundit, numri i rasteve pozitive ka rënë për 65 për qind.

Bazuar në këtë, Vitia tha se propozohet lirimi gradual i masave anti-Covid.

“Sipas raportit të fundit të IKSHPK-së, situata epidemiologjike me COVID-19 paraqitet e qëndrueshme, me vazhdimin e uljes së rasteve pozitive. Ulja e rasteve pozitive në dy javët e fundit krahasuar me dy javët paraprake ka shënuar një rënie për rreth 65 për qind. Në një situatë të tillë, duke iu referuar të dhënave aktuale mbi situatën epidemiologjike dhe rekomandimeve të IKSHPK, propozojmë vazhdimin e lehtësimit gradual të masave që mundësojnë një aktivitet të shtuar ekonomik por njëkohësisht kontroll të shtuar”, ka deklaruar Vitia.

Vitia tha se masat do të shqyrtohen pas dy javësh.

“Lehtësimi i masave është duke u bërë në raport me tri objektiva kryesore: parandalimin e përhapjes së infeksionit, moscenimi i aktiviteteve ekonomike por duke pasur prioritet ruajtjen e shëndetit publik dhe ruajtja e shëndetit mendor dhe fizik të qytetarëve. Masat shërbejnë që situata të mbahet në kontroll. Ndryshimi i situatës epidemiologjike kërkon vendime dhe masa të reja konform situatës së re. Vlerësimi i masave kufizuese do të bëhet pas dy javësh”, ka deklaruar ministri Vitia.