Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) ka marrë vendim që të vendosë masa mbrojtëse për produktet e derivateve të naftës.
Sipas këtij vendimi, marzha tregtare maksimale e lejuar me shumicë është dy centë për litër, kurse çmimi maksimal i lejuar i shitjes me pakicë 12 centë për litër naftë.
Në arsyetimin e këtij vendimi, thuhet se “MINT-i ka monitoruar tregun e produkteve të naftës dhe çmimet e furnizimit nga importi. Në bazë të raportit të Inspektoratit të Tregut, është evidentuar mospërputhje e çmimeve në Kosovë në krahasim me lëvizjet në tregjet botërore”.
“Kjo përbën shkas për rregullimin e çmimeve dhe caktimin e masave të tjera mbrojtëse”, thuhet në vendim.
Ky vendim do të jetë në fuqi për 30 ditë.
Si rrallë herë, Shoqata e Naftëtarëve të Kosovës është pajtuar me një vendim të tillë.
Fadil Berjani ka thënë se pajtohen se çmimi maksimal nuk është në favor të kompanive importuese, por situata globale, ka shtuar ai, i ka obliguar institucionet të ndërmarrë një hap të tillë.
“Kosova është treg i hapur dhe i lirë, por situata emergjente e cila është në tërë botën, ka detyruar ministrinë për një vendim të tillë”, ka thënë Berjani për Radion Evropa e Lirë, duke shtuar se ky vendim do të respektohet nga kompanitë e derivateve të naftës.
Aktualisht, në tregun e Kosovës, një litër naftë kushton deri në 1.80 euro, kurse një litër benzinë deri në 1.50 euro.LEXONI EDHE KËTË:Qeveria merr vendim për rregullimin e çmimit të naftës
Qeveria e Kosovës, në muajin qershor, kishte marrë vendim për caktimin e çmimit tavan vetëm për derivate të naftës.
Tavani i çmimit të tyre ishte përcaktuar çdo 24 orë.
Naftëtarët në Kosovë më 9 qershor, i kishin kërkuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, që të ruhet ekonomia e tregut të lirë dhe që minimalisht marzha (çmimi maksimal) të jetë: për shitje me shumicë 3 për qind dhe për shitje me pakicë 12 për qind.
Edhe në muajin mars, Qeveria e Kosovës pati marrë vendim që të përcaktojë çmimet shitëse maksimale apo marzhat tregtare me shumicë dhe pakicë. Sipas këtij vendimi, marzha më e lartë tregtare ishte deri në 4 për qind të çmimit të shitjes, ndërkaq te shitësit me pakicë marzha më e lartë ishte në 6 për qind.
Çmimet dhe kërkesa për naftë janë rritur në tregjet ndërkombëtare pas ndërhyrjes ushtarake të Rusisë në Ukrainë.