Qeveria në detyrë e Kosovës në mbledhjen e mbajtur sot ka vendosur që ndërprerja e mësimit në të gjitha nivelet të vazhdon deri në marrjen e një vendimi tjetër.
Qeveria e Kosovës kishte vendosur që mësimi të ndërpritet që nga data 11 mars me qëllim të parandalimit të koronavirusit.
Në vendimin e miratuar sot nga Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës thuhet:
1.Ndryshohet dhe plotësohet Vendimi i Qeverisë nr.01/07 i datës 11.03.2020 për parandalimin e infeksionit Corona Virus COVID-19.
2.Ndryshohet nën paragrafi 1.1. i paragrafit 1. të vendimit bazë, ashtu që ndërprerja e procesit edukativo-arsimor në Institucionet Arsimore Publike dhe Private në të gjitha nivelet vazhdon deri në një vendim tjetër, me rekomandim që të lirohet njëri prind nga puna ( kjo masë nuk vlen për punëtorët shëndetësorë dhe për punëtorët në sektorin e sigurisë).
3.Ky vendim është pjesë përbërëse e vendimit nr. 01/07 të datës 11.03.2020.
Ndryshe deri më tani në Kosovë janë konfirmuar 79 raste, ndërsa ditën e diele është shënuar edhe viktima e parë.