Deri në fillim të gushtit duhet të hartohet projektligji për mbrojtjen e furnizimit të produkteve themelore, ka thënë kryeministri Albin Kurti në mbledhjen e Qeverisë të mërkurën, duke shtuar se ky projektligj është i pashmangshëm për të adresuar gjendjen e krijuar në treg nga ngritja e çmimeve.
“Po përditësojmë agjendën legjislative që të hartojmë rregulla që do ta mbrojnë qytetarin nga vendosja e çmimeve të papërballueshme në sigurimin e furnizimit të ushqimit në produktet bazë. Për të adresuar gjendjen e krijuar në treg është e pashmangshme që projektligji për mbrojtjen e furnizimit me produktet themelore të hartohet sa më parë, konkretisht deri në fillim të muajit gusht, natyrisht të këtij viti”, ka thënë ai.
Nga pushteti kohë më parë u mor vendimi për vendosjen e çmimit tavan, dhe i marzhës maksimale të fitimit për derivate. Një gjë e tillë u paralajmërua edhe për produktet bazë, anipse ekspertët e cilësuan si shkelje kushtetuese. Qeveria e ka cilësuar të suksesshëm vendosjen e çmimit tavan për naftën, ndërsa Kurti ka thënë se njëjtë do të veprohet edhe me çmimet e produkteve esenciale, pa shkelur ligjin dhe Kushtetutën.