Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës, ka zhvilluar mbledhjen 30-të të saj, mbledhje korresponduese, në pajtim me Rregulloren e Punës së Qeverisë.
Në mbështetje të kompetencave të Qeverisë, përkatësisht nenit 20, paragrafi 4, pika a) e Ligjit Nr. 03/L-051 për Aviacionin Civil, Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës, sot ka shkarkuar Drejtorin e Përgjithshëm të Autoritetit të Aviacionit Civil, Eset Berisha për shkak të shkeljeve të detyrave të tij profesionale. Berisha ka hartuar dhe nënshkruar Rregulloren e brendshme të AAC-së në kundërshtim me ligjin, ka degraduar stafin menaxhues pa vlerësim të përformancës, ka mbajt detyra tjera me pagesë njëkohësisht, dhe ka rrezikuar Qeverinë e Republikës së Kosovës në dërgim në arbitrazh. Emërimi i Eset Berisha, si Drejtor i Përgjithshëm i AAC-së ka qenë në kundërthënie me ligjin qysh prej fillimit, prandaj Qeveria e Republikës së Kosovës, duke pasur në interes zbatimin e plotë të ligjit dhe interesin publik prioritet, ka marr vendim për shkarkimin e z. Berisha, dhe emërimin e z. Arianit Islami, Ushtrues Detyre i Drejtorit të Përgjithshëm të AAC-së, deri në marrjen e rekomandimit të Ministrit të Infrastrukturës dhe Ambientit për emërimin e drejtorit të ri, sipas legjislacionit në fuqi.
Qeveria e ka shqyrtuar dhe miratuar vendimin për racionalizimin e shpenzimeve gjatë përdorimit të automjeteve zyrtare të Qeverisë së Republikës së Kosovës si dhe kthimin e të gjitha targave civile në targa zyrtare. Sipas vendimit të aprovuar Kryeministri, zëvendëskryeministrat, ministrat, zëvendësministrat, Shefi i Stafit të Kryeministrit dhe Sekretari i Përgjithshëm i ZKM-së kanë të drejtën për përdorim të automjetit zyrtar 24 orë në ditë, ndërsa zyrtarët tjerë do t’i përdorin automjetet zyrtare vetëm gjatë orarit të rregullt të punës.
Vendimi shfuqizon të gjitha vendimet për aprovime të veçanta të përdorimit 24 orë të automjeteve zyrtare të nxjerra mbi bazën e nenit 3 paragrafi 3.3 të Udhëzimit Administrativ për përdorimin e automjeteve të Qeverisë së Kosovës. Automjetet zyrtare mund të përdoren 24 orë në ditë nga zyrtarët tjerë të Qeverisë, vetëm në rastet e veçanta me autorizim të veçantë, ku për shkak të specifikave të punës është e domosdoshme përdorimi i automjetit zyrtar. Ky autorizim propozohet nga zyrtari kryesor administrativ dhe aprovohet nga ana e Kryeministrit apo Ministrit të ministrisë përkatëse. Autorizimi lëshohet për raste individuale në kohëzgjatje jo më shumë se 72 orë.
Në vazhdim të bashkëpunimit bilateral mes Kosovës dhe Gjermanisë, Qeveria ka marr vendim që sipërfaqja prej 40 hektarësh, ku dikur ishin kazermat e KFOR-it gjerman, tani t’i kalojë në shfrytëzim shoqatës “ITP Prizren”, e cila do ta zhvillojë Parkun Gjermano-Kosovar të Trajnimit dhe Inovacionit. Parku do të punojë për zhvillimin ekonomik, ndërmarrësinë, arsimin dhe hulumtimin. Vëmendje e veçantë do t’u kushtohet shkencave të aplikuara, teknologjisë, bujqësisë, mjedisit, krijimtarisë e kulturës. Shoqatën “ITP Prizren” do ta bashkëdrejtojnë përfaqësuesit e Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe të Ambasadës Gjermane.