Qeveria shfuqizon disa vendime, Kosova drejt rikithimit të normalitetit

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e mbajtur sonte ka marrë vendim që Aeroporti i Prishtinës të hapet më 28 qershor.

Përveç këtij vendimi që konsiderohet si i një rëndësie jetike për ekonominë kosovare, qeveria ka shfuqizuar edhe disa vendime të mëhershme të marra në kuadër të masave për parandalimin e koronavirusit.

Më poshtë janë vendimet që janë shfuqizuar sonte nga qeveria e Kosovës:

Shfuqizohet: Vendimi ku ndalohet eksporti i medikamenteve mjekësore nga operatorët ekonomik.

Shfuqizohet: Pezullimi i përkohshëm i fluturimeve nga vendet me risk të lartë dhe të mesëm.

Shfuqizohet: Pezullimi i të gjitha linjave ajrore.

Shfuqizohet: Vendimi me të cilin ndalohen aktivitetet publike dhe jo publike që kanë mundur të mbahen pa praninë publikut, tubimet sportive, konferenca, tryeza të rrumbullakëta etj.

Njoftimi i plotë:

Qeveria e Kosovës hap trafikun ajror

(Mbledhja e 8-të e Qeverisë)


Qeveria e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga Kryeministri Avdullah Hoti ka zhvilluar mbledhjen e tetë, në të cilën ka shqyrtuar dhe miratuar vendimin për disa masa në luftimin e pandemisë COVID-19. Po ashtu, Qeveria miratoi vendimin për shpalljen organizatë terroriste të krahut politik dhe ushtarak të “Hezbollahut”.
Me vendimin e miratuar nga Qeveria në mbledhjen e sotme është aprovuar kërkesa e Ministrisë së Shëndetësisë për shfuqizimin e:

1. Pikës 1. 7 të Vendimit të Qeverisë Nr. 01/07 të datës 11 mars 2020 me të cilin është ndaluar eksporti i pajisjeve, materialeve dhe medikamenteve mjekësore nga ana e operatorëve ekonomik dhe prodhuesve;

2. Pika 1. 2 e Vendimit të Qeverisë Nr. 01/07 të datës 11 mars 2020 me të cilin është bërë pezullimi i përkohshëm i linjave të udhëtimit ajror dhe tokësor nga vendet me risk të lartë dhe të mesëm;

3. Pika 5 e Vendimit të Qeverisë Nr. 01/09 të datës 13 mars 2020 me të cilin është bërë pezullimi i përkohshëm i të gjitha linjave të udhëtimit ajror në aeroportin e Prishtinës përveç fluturimeve ushtarake dhe emergjencave medicinale (MEDIVAC).

4. Vendimi i Qeverisë Nr. 01/12 i datës 17 mars 2020 me të cilin është bërë plotësim ndryshimi i Vendimit të Qeverisë Nr. 01/09 të datës 13 mars 2020; dhe

5. Pika 1.5  e Vendimit të Qeverisë Nr. 01/07 të datës 11 mars 2020 me të cilin aktivitetet publike dhe jopublike kanë mundur të zhvillohen të mbyllura pa praninë e publikut si: ngjarjet sportive, tubimet, konferencat, tryezat e rrumbullakëta.


Me vendimin e aprovuar sot nga kabineti qeveritar rifillon transporti ajror dhe hapet Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës ”Adem Jashari” për vijat e rregullta të domosdoshme, që kthehen brenda ditës, me masa të shtuara të sigurisë, duke pasur prioritet shëndetin publik dhe parandalimin e përhapjes COVID-19. Obligohet Ministria e Infrastrukturës që të kompletojnë Udhëzimet administrative të Agjensionit të Aviacionit, protokollet e operimeve të transportit ajror, bazuar në mënyrë strikte në protokollet e EASA (European Union Aviation Safety Agency), rekomandimet e IKSHPK dhe Manualin për mbrojtjen nga COVID-19. Të gjithë udhëtarët që hyjnë në Republikën e Kosovës rekomandohen të kenë testin RT-PCR negativ, jo më të vjetër se 4 ditë. Vendimi hyn në fuqi nga data 28 qershor 2020.


Qeveria e Republikës së Kosovës, me qëllim të ruajtjes së sigurisë kombëtare, rajonale dhe globale, mbrojtjes së interesave shtetërore dhe pjesëmarrjes aktive në aleancat ndërkombëtare të luftimit të grupeve terroriste, ka miratuar vendimin që Organizatën Globale Terroriste “Hezbollah” krahun e saj politik dhe ushtarak, ta shpallë organizatë terroriste në territorin e Republikës së Kosovës.


Vendimi obligon organet përgjegjëse të sigurisë në Republikën e Kosovës që në pajtim me praktikat ndërkombëtare të ndërmarrin masat e nevojshme për zbatimin e këtij vendimi.