Presidentja Vjosa Osmani, e cilësoi si “pakulturë institucionale dhe paedukatë” përgjigjen e ministrit në detyrë të Financave, Hekuran Murati, ndaj propozimit të saj për heqjen e tarifave ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Osmani tha në Rubikon të Klan Kosovës, se nga një vendim i tillë do të përfitonin qytetarët e vendit.
“Kosova do të përfitonte shumë, populli i Kosovës do përfitonte shumë, po e them me përgjegjësi të lartë, unë si individ nuk kam ndonjë përfitim, por kur përfiton Kosova përfitojnë të gjithë, sikur të mos kishte një reagim i cili ka treguar mungesë të kulturës bazike institucionale edhe mungesë të edukatës bazike, por ato le t’i mbesin të së kaluarës” tha Osmani.
Presidentja e vendit tha se propozimin e saj për heqje të tarifave do ta dërgoj si ligj para deputetëve të Kosovës, sapo të konstituohet Kuvendi.
“Unë kam përgatitur draft-ligjin për heqjen e kësaj tarife, ligji është gati, kjo çështje bëhet edhe me ligj dhe ai ligj do t’i propozohet Kuvendit të Kosovës, unë kam diskutuar me një numër të madh të deputetëve, ky ligj do të kaloj, kjo do të bëhet, megjithatë shumë më mirë për Kosovën do të ishte të bëhej atë ditë, sikur Kosova të bëhej shteti i parë që e largoi tarifën ndaj aleatit të saj ekzistencial, përfitimet do të ishin të mëdha, por këtë do ta bëj në momentin që konstituohet Kuvendit do t’i respektojmë procedurat e rregullores së Kuvendit dhE kjo do të propozohet si ligji i parë dhe ligjet e ka për detyrë secili t’i zbatoj edhe unë si presidente edhe qeveria edhe të gjitha institucionet tjera”, tha Osmani.