Qeveria e Kosovës ka reaguar pas vërshimeve në qytetin e Gjakovës dhe Rahovecit, duke thënë se “kanë ngritur nivelin e gatishmërisë së kapacitetit reagues me qëllim të reagimit ndaj situatës së krijuar nga të reshurat”.
Qeveria në faqen zyrtare në Facebook ka thënë se ministri i Brendshëm Sveçla, ai i Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi dhe zëvendësministri i Bujqësisë Demelezi janë duke koordinuar veprimet për ofrimin e mbështetjes së nevojshme.
“Qeveria e Republikës së Kosovës, me vëmendje po e përcjellë situatën në terren pas reshjeve të shumta të shiut. Për këtë kemi ngritur nivelin e gatishmërisë së kapacitetit koordinues dhe reagues, me qëllim të reagimit ndaj situatës së krijuar nga të reshurat. Ministri i Punëve të Brendshme, z.Xhelal Sveçla, Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, z.Elbert Krasniqi, dhe Zëvendësministri i Ministrisë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, z.Imri Demelezi, bashkë me kryetarët e komunave dhe zyrtarë të institucioneve përgjegjëse po vizitojnë komunat e prekura, për të parë gjendjen dhe për të koordinuar veprimet për ofrimin e mbështetjes së nevojshme. Niveli qendror është në gjendje gatishmërie që t’u përgjigjet kërkesave të qytetarëve”, thuhet në njoftim.
Qeveria poashtu njofton se një njësi me pompa për tërheqje të ujit me kapacitet të madh.
“Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave (AME) ka njoftuar të gjithë akterët dhe ka përcjellur njoftimin për ngritje të nivelit të gatishmërisë dhe bashkë po e monitorojnë gjendjen. AME është duke e përcjellur gjendjen në vazhdimësi dhe është e gatshme për reagim me Njësitë Profesionale të Zjarrëfikësve dhe Shpëtimit në Komuna. Vërshimet kanë prekur disa fshatra të Gjakovës dhe Rahovecit dhe lagjet në qytetin e Gjakovës. Më e rënduar ka qenë gjendja në lagjet “Shote Galica”, “ Yllka Domi”, “Dergut Vokshi”, “Permet Vula” dhe disa lagje tjera në qytetin e Gjakovës. Ministria e Punëve të Brendshme/Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave ka ofruar kontributin me zjarrfikës të cilët janë angazhuar në evakuim në lagjen “Shote Galica” dhe në lagjet tjera. Është ngritur niveli i gatishmërisë dhe nga Prishtina është nisur një njësi me pompa për tërheqje të ujit me kapacitet të madh”, thuhet tutje.