Qeveria propozon ndarjen e 100 eurove për fëmijët dhe pensionistët

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e 178-të të saj do ta votojë subvencionimin e fëmijëve me nga 100 euro për këtë vit dhe po ashtu ndarjen e një shtese njëherëshe prej 100 eurove për pensionistët.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në fillim të mbledhjes së Qeverisë tha se do të miratohet skema për subvencionim të fëmijëve bazuar në të ardhurat e prindërve. Ai ka thënë se sivjet do të ndahen nga 100 euro për fëmijët e vitet tjera do të fillohet me deklarim të ardhurave të prindërve për të bërë kategorizimin.

Ndërkohë për pensionistët ka thënë se do të ndahet një shtesë njëherëshe prej 100 eurove.


E qeveria jonë përkujdeset për të gjithë brezat, e veçanërisht për ata që kanë më shumë nevojë. Kam kënaqësinë që sot do të miratojmë një vendim i cili përmbush një premtim tonin të radhës. Është fjala për subvencionimin e të gjithë fëmijëve bazuar në të ardhurat e familjes. Besoj u kujtohet premtimi që çdo vit, secili fëmijë do të përfitojë 50, 100, apo 150 euro, varësisht nga të ardhurat e prindërve.

Sivjet, kemi vendosur që të gjithë fëmijët pa dallim, të përfitojnë nga skema, dhe shuma e përfitimit të jetë 100 euro. Mirëpo, planifikojmë që kjo skemë të sofistikohet edhe më tutje duke filluar zbatimin edhe të deklarimit të të ardhurave vjetore nga të gjithë prindërit përfitues, ashtu që të ketë edhe dallim në mbështetje; për ata që kanë më pak të ardhura, natyrisht të përfitojnë më shumë.

Që në këtë fundvit, nuk kemi harruar as pensionistët tanë, po ashtu do të përkujdesemi me një vendim tjetër në këtë mbledhje. Prandaj, për të gjithë pension marrësit, këtë fundvit me qëllim të lehtësimit të kostos së jetesës, për këto kategori të cenueshme do të miratojmë shtesën e njëhershme prej 100 euro, përveç pensionit të rregullt mujor që marrin”, ka thënë Kryeministri Albin Kurti.