Ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi, është zotuar se do të ndërtohet një rrugë e re që do ta lidhë Prishtinën me Fushë-Kosovën, përgjatë hekurudhës dhe zonës industriale.
Në një takim me të parin e Fushë-Kosovës, Burim Berisha, Abrashi ka thënë se në këtë komunë “do të realizohen shumë projekte me rëndësi, që mundësojnë qasje më të lehtë në rrugë dhe po ashtu shkarkimin e qytetit nga numri i madh i veturave”.
“Në Komunën e Fushë-Kosovës kemi shumë projekte të rëndësishme që do të realizohen. Do ta ndërtojmë një rrugë të re që do ta lidh Fushë-Kosovën me Prishtinën, përgjatë hekurudhës dhe zonës industriale, që do ta shkarkonte shumë këtë komunë nga trafiku i madh. Po ashtu planifikojmë ndërtimin e rrugës për në zonën industriale afër ‘Goleshit’ dhe përfundimin e rrugës për ‘Miradi’”, ka thënë Abrashi, sipas njoftimit të Ministrisë së Infrastrukturës.