Kryeministri Albin Kurti ka njoftuar se buxheti për bujqësinë për vitin 2022 do të jetë mbi 100 milionë euro.
Kurti në mbledhjen e fundit të Qeverisë së Kosovës ka thënë se kjo shumë do të arrihet së bashku me investitorët.
“Kosova vitin e ri e fillon me Strategjinë shtatë vjeçare për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural si dhe Strategjinë dhjetë vjeçare për Pylltarinë. Në Buxhetin e ri për vitin 2022, do të realizohet përkrahja më e madhe me 70 milionë euro, ku në total së bashku me donatorë të tjerë do të investohen 100 milionë euro”, tha Kurti.
Ai ka shtuar se Ministria e Bujqësisë ka aplikuar për grant prej 20 milionë euro në Programin Botëror për Bujqësi Botërore dhe Siguri Ushqimore.
“Nëpërmjet Ministrisë së Bujqësisë kemi aplikuar në Programin Botëror për Bujqësi Botërore dhe Siguri Ushqimore për grantin prej 20 milionë eurosh, për mbështetje për fermerët e vegjël. Pra, buxhet mbi 100 milionë euro, strategji afatgjate, lehtësi të shërbimeve të subvencionuara dhe treg e transparencë”, ka shtuar ai.
Kurti në fund ka treguar se janë ndarë 10 milionë euro për rezerva shtetërore.
“Do t’i kemi së paku edhe 10 milionë euro për rezerva shtetërore që mund të mbushen me prodhime vendore”, ka përfunduar Kurti.