Nga 30 korriku mund të hyjnë në fuqi masat e reja kundër Covid-19 në Kosovë. Koha ka siguruar disa nga propozim-vendimet që i janë rekomanduar Ministrisë së Shëndetësisë nga ekspertë shëndetësorë, propozime që pritet të votohen nga kabineti qeveritar.
Njëri prej propozim-vendimeve për parandalimin e COVID-19 obligon të gjithë qytetarët e Kosovës që vijnë nga vendet e rrezikut të lartë të infeksionit si Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Serbia të vetizolohen për shtatë ditë në shtëpitë/banesat e tyre, por nëse kanë testin negativ nuk ka nevojë për këtë, raporton KOHA.
Ky propozim ngjalli edhe kritika të shumta, me ç’rast edhe Ministria e Punëve të Jashtme Meliza Haradinaj- Stublla, deklaroi se do të votojë kundër, pasi që, sipas saj, kjo është absurde.
Burime të KOHËS kanë treguar se ky propozim është shtyrë për rivlerësim edhe njëherë. Derisa, ambasador i Shqipërisë në Kosovë, Qemajl Minxhozi, përmes telefonit ka thënë se ka bashkëbisedim me Qeverinë e Kosovës, dhe autoritetet në Shqipëri për të gjetur zgjidhje të përbashkët, por në radhë të parë duke e ruajtur shëndetin e qytetarëve.
Propozim tjetër është që të vazhdojë kufizimi i lëvizjes së qytetarëve mbi 65 vjeç, të cilët aktualisht lejohen të dalin nga ora 05:00 – 10:00 dhe nga ora 18:00 deri 21:00.
Në anën tjetër, është thënë se vlen masa që të gjithë qytetarët e Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Serbisë e Bosnjës, që hyjnë në Kosovë duhet të kenë testin negativ për koronavirus. Në këtë dokument thuhet se nga data 28 korrik, duke filluar nga ora 22:30 deri në 05:00, ndalohet çfarëdo qarkullimi i personave fizikë në Prishtinë, Prizren, Pejë, Podujevë, Gjakovë, Ferizaj, Lipjan, Drenas, Vushtrri, Mitrovicë e Jugut, Gjilan, Fushë-Kosovë dhe Shtërpcë, përveç në raste urgjente.
Është propozuar që të ndalohen edhe grumbullimet e më tepër se 5 personave në sheshe publike e parqe. Po ashtu janë ndaluar edhe ahengjet familjare me mbi 20 persona.
Ndonëse një ditë më parë Bashkësia Islame njoftoi se do të lejohet falja e Bajramit, në propozim-vendimin e MSH-së ndalohet pjesëmarrja fizike e qytetarëve në aktivitetet fetare.
Këto propozim-vendime pritet të votohen në një mbledhje të Qeverisë, e që Besnik Tahiri, zëvendëskryeministër i parë, ka thënë se do të mbahet online.