Qeveria nuk pranon kushtëzime për anëtarësim në KiE me Asociacionin

Qeveria e Kosovës nuk pranon që anëtarësimi në Këshill të Evropës të kushtëzohet me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ka thënë kryeministri Albin Kurti të mërkurën në mbledhjen e Qeverisë, duke e quajtur për keqardhje mungesën e përkrahjes nga shtetet aleate.

Kryeministri Albin Kurti e ka konsideruar absurde kërkesën e Francës dhe të Gjermanisë që të dërgohet për vlerësim drafstatuti i Bashkimit Evropian për Asociacionin, si kusht për anëtarësim në KiE. Ai e ka quajtur drafstatutin “jodokument” dhe “non paper”.

Gjermania dhe Franca janë dy vendet që kanë kërkuar nga Kurti të bëjë “hapa konkretë” për themelimin e Asociacionit përpara votimit për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

Kurti e ka quajtur për keqardhje mungesën e përkrahjes “nga shtetet demokratike”.